Seanca ndaj dy të akuzuarve për vrasjen e Bedri Rexhepit, vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, është shtyrë për të hënën e 14 nëntorit.
Kjo për shkak se siç ka theksuar gjyqtarja Medie Bytyqi, nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e shqyrtimit fillestar ngase palët nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
“Pas dëgjimit të palëve dhe për shkak se gjykata nuk mund të vazhdojë më tutje pasi nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e shqyrtimit fillestar ngase palët nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës. Gjykata merr aktvendim për shtyrjen e gjykimit fillestar për datë 14 nëntor në orën 13:30”, ka thënë Bytyqi.
Ajo ka shtuar se prokurori i shtetit, obligohet që në afat prej tetë ditësh t’i pajisë të gjitha palët me shkresat e lëndës në këtë çështje penale.
Para se të merrej vendimi, avokatja Aberina Foniqi, e cila mbron Jeton Vllasaliun, ka deklaruar se prokurori nuk ia ka dërguar shkresat dhe provat në tërësi.
“Meqë lënda është voluminoze dhe kemi të bëjmë me veprën penale vrasje, mua në këtë seancë më pamundësohet të japë çfarëdo deklarimi, andaj i propozoj gjykatës që seanca e sotme të shtyhet për një afat të caktuar që neve të na jepet mundësia që të krijojmë një pasqyrë më të hollësishme rreth kësaj çështje”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, avokati Shemsedin Piraj, i cili mbron Nexhat Vllasaliun, ka ngritur të njëjtën kërkesë si avokatja Foniqi.
“Shkresat nuk janë dorëzuar. Përveç aktakuzës, provat e tjera nuk i disponojmë. Nuk jam ithtari shtyrjes së seancave por i pandehuri kërkon që të gjitha provat të shikohen një nga një”, është shprehur ai.
Ndërkaq, avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, ka thënë se pala e dëmtuar është e interesuar për një proces të rregullt dhe për të marrë drejtësi.
“Hetimi ka qenë i shoqëruar me vështirësi më të njohura në historinë e drejtësisë në Kosovë dhe jo gjithçka ka mundur të realizohet me kohë dhe të përmbushen detyrimet për një seancë të kompletuar siç kërkon ligji. Ne pajtohemi që gjykata të japë kohë shtesë ashtu siç rezulton si e drejtë që secili i akuzuar dhe mbrojtës i tyre të ketë mundësinë të pajiset me shkresat e lëndës dhe vetëm atëherë të deklarohet për fajësinë apo pafajësinë. Do të jemi dëshmitar se i akuzuari kryesor në këtë çështje edhe pse është deklaruar fajtor në momentet e fundit dhe ka dhënë detaje për veprën do të përdorë taktika, për ta ndryshuar këtë deklarim e ne nuk duam qe ajo të jetë si pasojë e shkresave të lëndës”, ka thënë Berisha.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 tetor, kishte mbajtur konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së biznesmenit, Bedri Rexhepi.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti ka bërë të ditur se Bedri Rexhepi është vrarë nga dy persona për shkak të përftimit material, gjegjësisht shumës prej 30 mijë eurosh.
Ai, ndër të tjera, ka bërë të ditur se pasi është vërtetuar identiteti i viktimës dhe pas hetimeve, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Jeton dhe Nexhat Vallasaliu, të cilët dyshohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.
Hamiti, ndër të tjera, ka bërë të ditur se hetimi ka zgjatur 18 muaj. Vrasja ka ndodhur për shkak se të pandehurit, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu kanë menduar që Bedri Rexhepi i posedon këto para.
“Kam arritur të vërtetoj dyshimin mirë të bazuar se Jeton dhe Nexhat Vllasaliu kanë kryer veprën penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtim i varreve”.
Hamiti ka thënë se motivi i kryerjes së këtyre veprave penale është i ulët.
Ai ka thënë se në terren ka dalë edhe me të pandehurit, por që dy daljet e para nuk kanë rezultuar me sukses.
“Kemi dalë edhe në terren me të pandehurit. Nuk kanë rezultuar me sukses dy daljet e para. Herën e tretë identifikimin e vendit e kemi bërë vetë, duke përdorur masat hetimore. Në terren herën e tretë kemi dalë vetë, pa të pandehurit”, ka shtuar Hamiti.