Klubet në komunën e Podujevës, nuk po kanë mundësi të zhvillojnë në mënyrën më të mirë të mundshme stërvitjet e tyre pasi që është rritur numri i klubeve dhe shkollave të futbollit ndërsa, nuk po ka fusha të mëdha të mbulojë nevojat e tyre. Komuna pritet të investojë afro gjysmë milioni euro në përgjithësi për infrastrukturën sportive.
Drejtori i Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit(DKRS), Pajtim Balaj ka thënë se tashmë kanë filluar procedurat për investime në terrene sportive.
“DKRS sapo ka nisur procedurën në vlerën prej 450.000 euro, ku planifikohen fusha të reja me bazë me komunitet dhe fusha të reja duke përfshirë sportin e tenisit, basketbollit, volejbollit në rërë dhe sigurisht futbollit”, ka thënë drejtori i DKRS-së, Pajtim Balaj.
Kurse Visar Popova, trajner i SC Besianës shprehet se duhet të ketë më shumë hapësira për aktivitet si dhe fusha sportive derisa ka folur për kushtet e fushave të futbollit në Podujevë.
“Shumë keq. Gjendje e mjerueshme përjashto Zahir Pajazitin”, është shprehur Popova.
Por për tu ndihmuar sado pak këtyre klubeve të vogla, duket se po kujdeset KF Llapi. Petrit Miftari, zyrtar për informim në klubin futbollistik Llapi, thotë që deri në ndërtimin e fushës në Peran do i lejojnë klubet e tjera të zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiumin ndihmës në Dumosh me një çmim simbolik.
“Marrëveshja është arritur mes klubit tonë dhe shkollave të futbollit që të shfrytëzojnë stadiumin në Dumosh për ndeshje të cilat paguajnë sepse, ai stadium është enkas për KF Llapin ku e ka fituar nga donacioni në UEFA”, ka thënë Miftari.
Komuna e Podujevës ka nisur ndërtimin e një fushe të madhe në fshatin Peran, por punimet nuk po zhvillohen tash e disa javë. E për këtë, ka një përgjigje Pajtim Balaj ku thotë që fusha ka nisur si opsion emergjent gjatë mandatit të parë të Kryetarit Bulliqi. Dhe sipas këtij të fundit, në mungesë të mjeteve ka nisur e përgjysmuar pa barin sintetik, pa rrethoja, pa zhveshtore dhe pa porta.
“Sapo kam marrë detyrën kam dërguar kërkesa në FFK, të cilat më janë plotësuar pjesërisht. Me ndihmën e tyre kemi marrë barin sintetik të stadiumit të qytetit dhe rrethojat janë vendosur nga federata. Pasi është shpalosur bari është konkluduar që ai bari ka dëmtime në disa pjesë, çka e bënë të pashfrytëzueshëm për atë fushë”, ka thënë Balaj.
Në kundërshtim me këtë përgjigje të Balajt është përgjigjja e KF Llapit, pasi këta të fundit I kanë dhuruar barin sintetik komunës për ta shfrytëzuar në fshatin Peran.
Petrit Miftari mohon një gjë të tillë duke thënë që çdo pjesë e barit që është hequr, ka pasur të shënuar numrin përkatës.
“Punëtorët të cilët e kanë bartur sipas informacioneve tona nuk kanë qenë kompetent për vendosjen e barit në fushën që pritet të ndërtohet”, ka deklaruar Miftari.
Fusha në fshatin Peran pritet ti kushtojë komunës rreth 150 mijë euro.