Shiu i madh që ra natën e së premtes ka lënë pa gjumë dhjetëra familje të fshatit Sopniq në Rahovec.
Kjo jo vetëm si pasojë e vetëtimave dhe shqetësimit, por si shkak i vërshimeve të cilat arritën deri në dhomat e tyre të gjumit, duke i detyruar t’i lëshojnë shtëpitë.
Kjo është gjendja e shtëpisë së Hajrije Morinës e cila aktualisht është e pabanueshme. Ajo teksa rrëfen momentin kur përpiqeshin t’i shpëtonin fëmijët, nuk arrin t’i mbajë lotët.

Gjithçka tashmë është e vërshuar nga uji. Të gjithë familjarët përpiqen t’i minimizojnë dëmet që thonë se nuk i pësojnë për herë të parë.

Hiç më mirë nuk është situata as në shtëpinë e Agron Morinës.

Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në shkollën e fshatit, e cila nuk është shfrytëzuar tash e dy javë për shkak të grevës në arsim. Por nëse greva ndërpritet, 110 nxënësit e kësaj shkolle nuk do të mund të zhvillojnë mësimin, pasi uji arriti deri në korridoret e klasat e tyre.

Xhafer Gashi, drejtor i shkollës në fshatin Sopniq të Rahovecit ka thënë se do të kërkojë ndihmë nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e shkollës, në mënyrë që të fillojë procesi mësimor.

Në anën tjetër, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë per RTV Dukagjini se dëmet e shkaktuara nga vërshimet janë të mëdha.
Në një deklaratë me telefon Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit ka thënë “Ka dëme të mëdha në amvisëri dhe ekonomi famlijare, biznese, infrastrukturë dhe në bujqësi. Tash ne e mabjtën një mbledhje të shtabit emergjent e kemi mbajtur tash shohim çka mund të bëjmë. Kemi kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë. Nuk ka pas nevojë për me zhvendos familje, dëmet janë kryesisht materiale”.

Para disa javësh kishin nisur punime në këto fshatra për zgjerimin e shtratit të lumit, por ato më pas janë ndërprerë pasi punëkryesi nuk ka pranuar të vazhdojë kontratën për shkak të shtrenjtimit të çmimeve.