Të gjithë jemi të ndjeshëm kur bëhet fjalë për fëmijët, e të folurit është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të secilit fëmijë.
Ndonjëherë jemi të brengosur, pasi nuk e dijmë nëse fëmija ynë është në rrugën e drejtë të zhvillimit të komunikimit të tij, nëpër etapa të ndryshme.
Për të çartësuar këtë situatë, e ftuar në emsionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini ishte logopedja Toska Vuniqi.
Si logopede në një institucion të arsimit parashkollor, Vuniqi deklaroi se puna e tyre me fëmijët lidhet me aktivitete dhe lojëra të ndryshme ku stimulohet gjuha dhe të folurit. Pra logopedët vlerësojnë dhe zhvillojnë gjuhën tek fëmijët.
Vuniqi thekson se zhvillimi i të folurit ndryshon nga një fëmijë tek tjetri, pasi këtu ndikojnë faktorë ambientalë, socialë, familjarë e gjenetikë.
Logopedja shpjegon etapat se si duhet zhvilluar të folurit tek një fëmijë, nga mosha 1 deri në 6 vjet.
12 deri në 18 muaj – Mosha kur fëmijët kalojnë nga gugatja dhe imitimi i tingujve në thënien e fjalëve të shkurtëra por me kuptim. Në këtë moshë fëmiu fillon të kuptojë më shumë dhe reagon ndaj të folurit. Zgjërojnë komunikimin me anë të gjesteve, të cilat janë shumë të rëndësishme në pjesën e komunikimit.
18 muaj deri në 2 vjet – Rritet fjalori i fëmijëve në diku deri 20 fjalë. Këto fjalë i vogli mjafton t’i thotë përafërsisht të sakta, dhe të kuptueshme.
2 deri në 3 vjet – Mosha më e rëndësishme sa i përket zhvillimit gjuhësor. Rritet fjalori i fëmijëve, duhet të jenë të aftë të lidhin dy fjalë mes vete, dhe kanë rreth 50 fjalë në fjalor. Deri në mbërritjen e moshës 3 vjeçare kalojnë nga fjali me 2 fjalë, në fjali që përmbajnë 4 deri në 5 fjalë.
3 deri në 4 vjet – Fëmijët kanë fjalor deri në 1 mijë fjalë, i zgjasin fjalitë prej 5 deri në 7 fjalë. Në këtë moshë ndodh shpërthimi i parë gjuhësor, ku fëmiu flet më lirshëm, rrjedhshëm, është më i kuptueshëm dhe i vetëdijëshëm se çfarë po flet.
4 deri në 5 vjet – Përmirësohet fjalori dhe rritet ndërlikueshmëria e fjalive, mirëpo mund ta kenë ende ndonjë pjesë që e gjejnë më të vështirë.
5 deri në 6 vjet – Fëmijët duhet të kenë një të folur të mirë. Mund ta thonë emrin, mbiemrin, moshën, datën e lindjes e më shumë gjëra për vetën. Kjo është mosha ku fëmijët fillojnë të pyesin më shumë për fjalët që nuk kanë dëgjuar më parë dhe kuptimin e tyre. Mund të tregojnë ngjarje e histori. Mosha 6 vjeçare është koha kur fëmijët duhet të kenë të formuluar bagazhin gjuhësor.
Logopedja deklaron se problemet në të folur vijnë nga një mori shkaqesh, dhe jo secili problem ka zgjidhjen e njëjtë. Për probleme më të rënda, Vuniqi thotë se preferojnë që të bëhet një analizë e psikologut klinik.
Një brengë e madhe e prindërve në kohët e fundit është edhe teknologjia. Vuniqi bëri të ditur se teknologjia ndikon në të folur pasi nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë, gjithçka nga ekrani fëmijës i vie e gatshme, të gjitha pyetjet e përgjigjet janë aty, dhe nuk ka një komunikim siç duhet të jetë, ashtu si e bën kur është duke luajtur me një tjetër fëmijë.
Kështu sipas saj krijohet pritesa, pasi mësohet që t’i serviren të gjitha të gatshme, andaj Vuniqi thekson se është shumë e nevojshme që fëmija të dërgohet në kopsht, pasi aty bëhet socializimi.