Nëntëdhjetë minuta pasi dha dorëheqjen si kryeministër britanik të enjten, Boris Johnson ka telefonuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, duke i thënë se udhëheqësit ukrainas dhe populli i tij kishte mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar në luftën e saj kundër Rusisë, dhe se Britania do të vazhdojë të ofrojë ndihmë jetike mbrojtëse për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Qysh në fillimet e sulmeve kur Rusia pushtoi Ukrainën, Britania është bërë një ndërmjetës i rëndësishëm për Zelenskyy, kanë thënë zyrtarët në Britani për Reuters.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba e përshkroi Boris Johnson si një “mik të vërtetë të Ukrainës” në komentet e dërguara për Reuters nga ministria e tij.
Kushdo që drejton Britaninë në muajt e ardhshëm do të përballet me vendime të rëndësishme se si të ndjekë politikën.
Udhëheqja e Britanisë do të jetë në një pikë tranzicioni, pasi Rusia po fiton vazhdimisht terren në atë që Moska e quan një “operacion special”.
Johnson kishte folur me presidentin ukrainas 21 herë që nga fillimi i luftës, mesatarisht një herë në gjashtë ditë. Bisedat e tyre shpesh hapeshin me Zelenskyy-n, i cili lexonte një “listë blerjesh” të armëve, thanë për Reuters, tre zyrtarë të Mbretërisë së Bashkuar me njohuri për këtë çështje.
Si shembull i marrëveshjeve që pasuan, Londra dhe Oslo ranë dakord që Britania do të dërgonte sisteme të shumta raketore lëshimi (MLRS) në Ukrainë, dhe do të merrte pajisje të ngjashme, më të vjetra nga Norvegjia në këmbim që të mund të modernizohej, konfirmoi qeveria e Norvegjisë.
Në maj, ministri ukrainas i mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, e falënderoi Britaninë për ndihmën e saj në dërgimin e raketave kundër anijeve të Danimarkës.
Gjithashtu, kohëve të fundit Britania realizoi një hetim për 27 mitralozë të rëndë të projektuar sovjetik nga Bullgaria, sipas një dokumenti nga kompania shtetërore e armëve “TEREM”, e cila i tha Reuters se ajo marrëveshje nuk u realizua.
Britania ka premtuar 2.3 miliardë paund (2.74 miliardë dollarë) mbështetje ushtarake për Ukrainën, niveli i dytë më i lartë i mbështetjes pas Shteteve të Bashkuara.
“Totali zyrtar përfshin blerjet e armëve, por jo mbështetjen logjistike që Britania ka ofruar krahas tyre”, ka thënë ministria britanike e mbrojtjes.
Reuters nuk ka mundur të përcaktojë se me sa marrëveshje të tjera ka ndihmuar Britania ngase, ministria e mbrojtjes bëri të ditur se punon në mënyrë rutinore me partnerë anembanë globit për të blerë pajisje, por nuk pranoi komente të mëtejshme.
“Mbretëria e Bashkuar është shfaqur si një lider midis aleatëve dhe partnerëve në ofrimin e ndihmës për Ukrainën,” ka thënë zëdhënësi i Pentagonit të SHBA, nënkoloneli Anton Semelroth, në një deklaratë për Reuters.
Edhe pse Britania u përfshi gjithnjë e më shumë në diplomacinë rreth luftës në Ukrainë, Kievi thotë se rezervat e saj të armëve të epokës sovjetike po mbarojnë.
Ai thotë se po përdor rreth 6,000 predha artilerie në ditë, ndërsa një burim britanik i mbrojtjes ka thënë se Rusia po përdor rreth 20,000 fishekë në ditë.
Kremlini gëzon teksa të tjerët ndjekin me kujdes dorëheqjen e Johnson
“Stoku ekzistues i artilerisë së Britanisë do të mbaronte brenda disa ditësh nëse do të përdorej me të njëjtin ritëm si Rusia”, ka thënë burimi sipas Reuters.
Analistët thonë se vendet perëndimore së shpejti do të vijnë në një pikë kthese strategjike, që duhet të vendosin nëse do të dyfishojnë armatimin e Ukrainës apo do të shtyjnë për negociata me Moskën për t’i dhënë fund luftës.
“Me Britaninë që po përballet me një krizë ekonomike dhe të kostos së jetesës, mund të jetë sfiduese për të bindur publikun që të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në një luftë që mund të zgjasë me vite”, ka thënë James Rogers, bashkëthemelues i institutit kërkimor për politikën e jashtme me bazë në Londër, Geostrategy.
Publiku, fillimisht, mbështeti luftërat e huaja si ato në Irak dhe Afganistan, por më pas u zhgënjye, treguan sondazhet.
“Ka padyshim një tension sa herë që shpenzoni paratë e taksapaguesve,” ka thënë Rogers. “Por qeveria duhet të përpiqet të bindë njerëzit që ose të shpenzojmë paratë tani për të ndaluar Rusinë në Ukrainë, ose do të përballemi me kosto edhe më të mëdha diku tjetër.”