Edicioni i mbrëmjes të së martës i Debat Plus bën së bashku përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arriti që në një takim të mbledh liderët e partive opozitare për të diskutuar lidhur me situatën politike dhe ngjarjet në veri, gjersa më herët, i vetmi që kishte pranuar ftesën e Kurtit ishte Rammush Haradinaj.
Deputeti Enver Dugolli nga radhët e LVV-së, thotë se është me rëndësi që Kurti ka shprehur gadishmërinë dhe vullnetin e tij për të marrë mendimin e opozitës.
“Duhet përshëndetur përgjigja pozitive që kanë konfirmuar liderët e opozitës. Është me rëndësi që Kurti po shpreh gatishmërinë dhe vullnetin të thërras opozitën dhe të bisedojë me ta ngase çështja e Kosovës duhet të na bashkojë”, ka deklaruar Dugolli.
Të njëjtin mendon e ndan edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, deputeti Rashit Qalaj nga radhët e PDK-së.
“Është gjë shumë e mirë kur spektri politik bisedon së bashku për gjëra të rëndësishme … besoj që ky takim ka dhënë rezultat”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, sjellja e Kurtit është parë si e papërgjegjshme nga ana e Armend Zemaj, deputet nga radhët e LDK-së. Sipas tij, Kryeministri do duhej të përdorte hapësirën në Kuvend për t’u drejtuar me një fjalë të tijën.
“Krejt çka u pa dhe çka u tha është konkluzioni që e kemi një kryeministër që më shumë është i interesuar çka thonë analistët, çka thonë trushpërlarët … atë e tha dhe e dëshmoj edhe vetë sot dhe fatkeqësisht, s’kishte informacion shumë për ne dhe për opinionin”, ka deklaruar ai.
Pal Lekaj nga radhët e AAK-së, ka thënë ndër të tjera se bazuar në atë çka ka biseduar me Haradinajn, Kurti nuk kishte ftuar opozitën për të treguar zgjidhjet nga kjo situatë, dhe ka filluar të flasë për Podgoricën, Shkupin, Sarjevën dhe Beogradin. Një gjë e tillë ishte fyese për Haradinajn, tregon ai.
Kurti ka ftuar liderët e partive opozitare në një takim i cili u zhvillua të martën e 8 nëntorit, ku 20 minuta pas fillimit të takimit, Haradinaj ishte parë duke dalë nga vendi ku po zhvillohej takimi.