Si ndikon konsumimi i alkoolit në rritjen e rrezikut për kancer?

Kirurgu i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, ka thënë ditë më parë se të gjitha pijet alkoolike, qofshin birrë, verë, apo pije të tjera alkoolike, duhet të kenë mbishkrimin paralajmërues që konsumimi i tyre rrit rrezikun për kancer.

Lidhja në mes të konsumimit të alkoolit dhe kancerit është bërë prej së paku vitit 1987, kur Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtime për Kancer, e pati klasifikuar për të parën herë alkoolin si kancerogjen për njerëzit.

Sipas raportit të Kirurgut të Përgjithshëm, të dhënat e reja nga hulumtimet në njerëz dhe kafshë vetëm sa i kanë përforcuar këto gjetje, të cilat tregojnë se rreziqet rriten në mënyrë modeste me konsumim.

Çfarë thonë udhëzimet aktuale për konsumimin e alkoolit?

Udhëzimet aktuale për dietën ushqimore në Shtetet e Bashkuara rekomandojnë dy apo më pak pije në ditë për burrat dhe një apo më pak pije në ditë për gratë.

Për disa lloje të kancereve, sikurse ai në gji, gojë, apo fyt, rreziku mund të rritet edhe vetëm me një apo më pak pije pijë në ditë, sipas raportit.

Cilat lloje të kancereve lidhen me konsumimin e alkoolit?

Të dhënat tregojnë se konsumimi i alkoolit më së shumti rrit rreziqet për kancer në gji, në zorrën e trashë, ezofag, mëlçi, gojë, fyt dhe laring.

Si shkakton alkooli kancer?

Në raportin e Kirurgut të Përgjithshëm përmenden katër mënyra se si konsumimi i alkoolit rrit rrezikun për kancer:

  • Dëmtimet në ADN – trupi e shndërron alkoolin në acetaldehid, lëndë kimike që mund të dëmtojë ADN-në dhe të parandalojë rigjenerimin e qelizave të dëmtuara, të rrisë mundësinë për mutacione dhe rritje të pakontrolluar të qelizave që mund të kontribuojnë në formim të tumorit.
  • Oksidimi dhe inflamacioni – acetaldehidi shndërrohet në acetat dhe në këtë proces përfshihet oksidimi, dhe kështu prodhohen molekula me oksigjen të rrezikshëm dhe të paqëndrueshëm, të cilat dëmtojnë qelizat dhe mund të kontribuojnë në inflamacion që shkakton kancer.
  • Përzierja me cigaren – grimcat kancerogjene nga burimet tjera, sidomos ato të cigares, mund të shpërbëhen në alkool, dhe kështu mund të absorbohen më lehtë në trup.
  • Prodhimi i hormoneve – Konsumimi i alkoolit mund t’i rrisë nivelet e hormoneve, përfshirë estrogjenin, i cili mund t’i rrisë rreziqet për kancer në gji dhe në vezore.

Pse disa organe janë më të rrezikuara nga kanceret që lidhen me alkoolin?

Çështja e rritjes së hormoneve përmendet në raport për lidhshmëri të madhe me kancerin në gji.

Sa i përket gojës, ezofagut dhe traktit tretës, alkooli irriton dhe dëmton mukozën mbrojtëse që zakonisht i mbron këto organe nga lëndët kancerogjene, përfshirë cigaren.

Kur mëlçia e proceson alkoolin, ajo e shndërron në përqendrime të larta në acetaldehidit.

Inflamacioni kronik, i nxitur nga alkooli, mund të shkaktojë cirozë, faktor i madh rreziku për kancer mëlçie.

Inflamacioni i shkaktuar nga alkooli mund të rrisë edhe rrezikun për kancer të pankreasit.

A ndikon sasia e konsumuar e alkoolit në rritjen e rrezikut për kancer?

Rreziku për kancer rritet me sasinë e alkoolit të konsumuar. Sipas raportit të Kirurgut të Përgjithshëm, kanceri i lidhur me konsumim të alkoolit mund të zhvillohet në 10 prej 100 burrave që konsumojnë më pak se një pije në javë, 11 në 100 persona që konsumojnë mesatarisht një pije në ditë, dhe 13 në 100 që konsumojnë dy pije në ditë.

Konsumimi i madh i alkoolit rrit rrezikun për kancer në gji te gratë në 11 raste prej 100 në total të atyre që konsumojnë më pak se një pije në javë, në 13 në 100 që konsumojnë një pije në ditë, dhe 15 në 100 që konsumojnë dy pije në ditë, sipas raportit.

Deri ku janë limitet e asaj që dimë?

Rreziku i çdo personi për zhvillim të kancerit, përfshirë kanceret e lidhura me alkoolin, përcaktohet edhe nga ndëraktiviteti kompleks i faktorëve biologjikë, ambientorë dhe social.

A ka përfitime shëndetësore nga alkooli?

Në raportin e publikuar në janar të vitit 2025 nga Akademia Kombëtare e Shkencave dhe Mjekësisë në SHBA, përmendet se konsumimi i moderuar i alkoolit lidhet me shkallë të zvogëluar të vdekjeve nga çdo shkak, në krahasim me zero konsumim.

Ndonëse janë identifikuar lidhje në mes të alkoolit dhe kancerit, ka edhe të dhëna që sugjerojnë se konsumimi i moderuar i alkoolit është i lidhur me rrezik të zvogëluar për sulme jofatale në zemër dhe vdekje nga sëmundjet e zemrës.

*Shënim: Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara e përcaktojnë një pije alkoolike kur është, shembull, 150 mililitra verë me 12 për qind alkool, apo 350 mililitra birrë me 5 për qind alkool.

Shija e redaktorit

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Të fundit nga rubrika