Si performoi Qeveria Kurti II gjatë vitit të fundit të mandatit?

Qindra vendime ka marrë Qeveria gjatë vitit 2024. Një pjesë e tyre janë projektligje disa prej të cilave, sikurse viteve të kaluara, janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shkaku i dyshimeve për shkelje. Megjithatë, këtë vit Qeveria e vlerëson jashtëzakonisht të suksesshëm, po monitorues së punës së saj thonë se Qeveria performoi dobët.

“Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra…”

Dhjetëra mbledhje të tilla të Qeverisë ka udhëhequr kryeministri Albin Kurti gjatë 12 muajve të vitit 2024.

E, nga to kanë dalë qindra vendime.

Gjatë 60 takimeve të tilla fizike dhe atyre elektronike, sipas të dhënave të ofruara nga Qeveria për televizionin, janë miratuar gjithsej 481 vendime gjatë 2024-s.

Aty përfshihen 49 projektligje, 34 projekt-rregullore, 6 udhëzime administrative, 12 koncept-dokumente, 4 nisma legjislative, 90 emërime dhe shkarkime.

Kurse 289 vendime tjera përfshijnë shpronësime, raporte dhe vendime të tjera.

Gjithë këto vendime, Ekzekutivi vlerëson se kanë sjellë rezultate.

“Viti 2024 ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm dhe rezultativ i një pune të gjatë përgjatë viteve pararendëse të mandatit. Që në janar hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave në zonën shengen. Pasaporta jonë kurrë nuk ka qenë më e fuqishme sesa në vitin 2024. Filloi faturimi i energjisë në katër komunat tona në veri për herë të parë pas 24 vjetëve. Përmbyllëm me sukses ankandin e parë me energji të diellit me kapacitet 100MË, kurse tash së fundmi hapëm edhe ankandin e dytë për energji të ripërtërishme, përkatësisht me energji të erës”, ka thënë zëdhënsi i Qeverisëm Përparim Kryeziu.

Kabineti i udhëhequr nga Kurti mburret edhe me vendime të tjera.

“Këtë vit dyfishuam dhe trefishuam shtesat për fëmijë, rritëm 20% pensionet, paga minimale u ngrit në 350 euro pas më shumë se një dekade stagnim, si dhe morëm vendim për rritjen e pagave në sektorin publik duke filluar nga 1 janari i vitit që po vjen. Shënuam suksese të rëndësishme në procesin e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës, duke kaluar me sukses fazën e ambasadorëve të KiE, Komitetit për Çështje Politike dhe pastaj edhe Asamblenë Parlamentare”, ka shtuar Kryeziu.

Por vlerësim të kundërt ka në lëvizjen FOL, e cila çdo vit monitoron punën e Qeverisë.

“Fatkeqësisht Qeveria edhe vitin 2024 e përmbyll me një performancë të dobët meqenëse nga monitorimi jonë del që të paktën në gjysmën e parë të vitit, pra janar-qershor 2024 ka përmbushur vetëm 33 për qind të planit të punës. 03:42 / 05:39 Ne është e rëndësishme ta bëjmë monitorimin edhe këtë pjesën tjetër të vitit, ku rezultatet përfundimtare të vitit 2024 do t’i publikojmë në janar”, ka thënë hulumtuesja në FOL, Burbuqe Kastrati.

Hulumtuesja Burbuqe Kastrati thekson se Plani Kombëtar për Zhvillim i Qeverisë Kurti ka qenë ambicioz në fillim të mandatit, realizimi i të cilit, sipas saj ka pësuar rënie në vitin e dytë, të tretë dhe të katërt. 

Ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti ka pasur telashe edhe me ligjet që i ka hartuar e më pas miratuar gjatë këtij viti.

Ligji për Zyrtarët Publikë, ai për Komisionin e Pavarur të Mediave, si dhe Ligji për statutin e Universitetit të Prishtinës janë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.

E gjatë muajit të fundit të 2024-ës, PDK-ja ka kontestuar në këtë gjykatë edhe 16 ligje, të cilat brenda një nate u miratuan në Kuvend me procedura të përshpejtuara.

Në mesin e tyre janë edhe ndryshimet në Ligjin e shumëpërfolur për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, versioni i parë i të cilit ishte rrëzuar tërësisht nga Kushtetuesja.

“Kjo nuk është mirë për Qeverinë. Qeveria duhet t’i bëjë politikat dhe duhet të jetë profesionale. Kemi segmente profesionale të Qeverisë që merren ekskluzivisht me këto çështje. Nuk po veprojnë ashtu siç duhet apo më mirë të them nuk po koncentrohen. Pastaj sa unë kam përvojë, edhe në Parlament deputetët nuk i kontrollojnë ligjet”, ka thënë ish-gjyqtari i Gjykatës Kushteusese, Kadri Kryeziu.

Që nga viti 2021 kur Qeveria Kurti II ka marrë mandatin, Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje të aktit më të lartë juridik të shtetit në tetë ligje.

Shija e redaktorit

Sot fillon periudha e votimit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se ka filluar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët janë regjistruar për...

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Të fundit nga rubrika