Si po cilësohet deklarata e Escobarit për mundësinë e konfliktit rajonal?

Njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë në vend, deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, për një konflikt të mundshëm në rajon e kanë konsideruar si "shqetësuese"

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

Deklaratën e të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se “tensionet në veri të Kosovës mund të shndërrohen në konflikt rajonal” po e shohin serioze njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë në vend.

“Rajoni ynë është jashtëzakonisht i ndërlidhur, prandaj edhe reciprokisht i ndikueshëm. Kompleksitetet historike, që përkthehen në problematika politike dhe demografike, kanë potencial të shpërthejnë në çdo moment”.

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike në vend, Artan Muhaxhiri.

Në një prononcim për Portalin Dukagjini, Muhaxhiri ka theksuar se rajoni i ndërlidhur është arsyeja që bashkësia ndërkombëtare investon shumë resurse institucionale për krijimin e parakushteve përkrahëse të integrimit të rajonit në struktura euroatlantike.

“Shumica e vendeve përreth nesh kanë çështje të hapura në aspektin e problematikave ndëretnike, prandaj është e pritshme që ndryshimet substanciale të këtyre dinamikave në një shtet t’i ndikojnë drejtpërdrejt ngjarjet në shtetet e tjera”, ka vijuar ai.

Artan Muhaxhiri, analist politik

Sipas tij, gjëja e fundit që tash, njëkohësisht me luftën në Ukrainë, u duhet ShBA-së dhe BE-së, është hapja e një fronti të ri dhe krejtësisht të palogjikshëm të betejave në Ballkan.

Për këtë deklaratë të emisarit amerikan, Gabriel Escobar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet të pyetet emisari amerikan se cilat shtete të tjera pos Kosovës e Serbisë i ka menduar kur e ka dhënë atë deklaratë.

Sipas tij, për këtë duhet të drejtohet gishti nga Beogradi.

“Unë di shumë gjëra, por jo aq shumë. Do të duhej ta pyesni emisarin Escobar kur ka folur për konflikt rajonal për cilat shtete pos Kosovës e Serbisë ka menduar. Mali i Zi nuk e besoj, Maqedonia e Veriut po ashtu. Kryeministri Rama ka kërcënuar Beogradin, ndoshta. Por do të duhej ta pyesni emisarin Escobar për këtë”, kishte deklaruar Kurti në një konferencë për media.

Në lidhje me këtë, analisti ka thënë se Kurti e ka përzgjedhur një qasje të çuditshme për t’u konfrontuar me politikën amerikane.

“Normalisht, është e qartë që ky pozicionim i tij nuk do të tolerohet pafundësisht. Nëse kryeministri Kurti identifikohet si bllokues i një projekti gjigant gjeostrategjik dhe gjeopolitik – Marrëveshjes Përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e ardhmja e tij politike dhe shtetare nuk do të mund të jetë e ndritshme”, ka theksuar Muhaxhiri.

Sipas tij, zgjidhja politike për veriun do të jetë e komplikuar, me shumë baraspeshime dhe kompromise të domosdoshme reciproke, teksa ka theksuar se “është në lajthitje të plotë kushdo që mendon se mund të ketë version të thjeshtë dhe të lehtë për t’i dhënë fund këtij problemi”.

Shqetësuese deklaratën e emisarit amerikan po e konsideron edhe analisti nga Shqipëria, Ben Andoni.

Sipas tij, Ballkani duhet të mbahet i ngrirë, në mënyrë që tensionet të mbajnë të dy vendet të përfshira në një dialog pa rrugë.

“Në momentin që këto fjalë artikulohen nga një emisar amerikan, që e njeh si pak kush Ballkanin, unë mendoj se janë shqetësuese. Për më tepër, sasia e informacionit dhe ajo që artikulon z.Escobar përcillet nga sinteza, që bëjnë Agjenci të ndryshme amerikane. Më shumë se konflikt, Ballkani duket se duhet të mbahet i ngrirë, në mënyrë që tensionet të mbajnë të dy vendet të përfshira në një dialog pa rrugë”, ka thënë Andoni.

Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni

Ai për Portalin Dukagjini ka thënë ndër të tjera se kjo është arsyeja që Escobar, me atributet e tij të emisarit, do të tregojë se është në limite të kontributit dhe kjo lloj “mënyrë e tanishme mund të shndërrohet në konflikt rajonal”.

“Të shikosh se çfarë po bëjnë serbët e Bosnjës, trazirat që krijojnë po serbët në Malin e Zi dhe sidomos situatën e përsëritur në veri, logjika të përcjellë aty. Në mendimin tim, zgjidhja do të jetë e tillë, që të merren parasysh edhe zgjidhjet gjeostrategjike që do rrjedhin pas luftës së Ukrainës, ku kuptohet se aktor do të jetë dhe Rusia. Ndaj, nguti dhe presioni amerikan, këshillat e BE-së kanë tendencë që t’i tregojnë palës kosovare që duhet të blejë kohë. Në mungesë të kësaj kohe, ka potencial për konflikt. Dhe, serbët po na tregojnë se janë gati për konflikt, që kur e kanë thyer të papenalizuar Marrëveshjen e Kumanovës”, ka vijuar Andoni.

Ndërsa, në lidhje me qëndrimin e Kurtit për deklaratë, Andoni ka thënë se Kurti si duket “nuk po e njeh mirë realitetin gjeostrategjik dhe nuk po i parashikon pasojat e kohës”.

“Në rast të gjuhës së tij të komunikimit lidhur me Escobar duhet t’i kujtohet dhe ai e di mirë se: autoritetet amerikane nuk japin përgjigje për deklaratat e tyre, paçka nivelit të përfaqësimit. Për më tepër, dihet mirë se informacioni mblidhet e përcillet nga shumë kanale. Ndërkohë mandati i Kurtit është i përkohshëm, kurse lufta për përfundimin e shtetësisë së Kosovës do të jetë e gjatë dhe do të ketë nevojë për disa mandate kryeministrash”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, ai ka thënë se Kurti nuk duhet të harrojë se Marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244 fshehin aq shumë detaje, saqë ai duhet të ketë parasysh çdo këshillë të aleatëve të artikuluar pak pa diplomaci. “Problemi i dokumentacioneve fsheh shumë elemente, që mund t’i japin jetë një konflikti në të ardhmen. Të mos harrojmë se KFOR-i nuk do të ketë pasoja të aksioneve të saj. E për më tepër, s’do të jetë gjithnjë në Kosovë. Kurse politika kosovare duhet të kuptojë mirë se qesëndisja që po i bën SHBA-së dhe aleatëve tregon jo thjesht naivitet, sesa një lloj amatorizmi diplomatik, që në të ardhmen mund të na përcjellë me të panjohura. E mbi të gjitha të bashkërenduara dhe me opozitën, për të krijuar një vijë të kuqe, që nuk kthehet kundër Republikës së Serbisë”, ka përfunduar Andoni.

Ndërsa, njohësi i sigurisë, Drizan Shala, për Portalin Dukagjini ka thënë se situata në veri të vendit ka potencial faktik-real që ta kaplojë komplet Ballkanin Perëndimor.

“Situata në veri të vendit ka potencial faktik-real që çështja ta kaplojë komplet Ballkanin Perëndimor. Sepse, nëse do të kemi vetëm një viktimë në veri nga njëra apo pala tjetër, de facto zjarri do të ndizej dhe askush nuk e di se si do të përfundonte”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se kanë mbetur shumë çështje pezull në rajonin e Ballkanit Perëndimor, “sa i përket Republikës Serbe në Bosnjë, sa i përket mosformimit të Qeverisë në Malin e Zi – ndikimit të subjekteve proserbe, proruse në formimin e saj, lënia anash eventual edhe në situatën e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë eksponentët e subjekteve shqiptare, atëherë situata mund të kaplojë Ballkanin”.

Eksperti i Sigurisë, Drizan Shala

Ai ka theksuar se qeveria duhet t’i thërrasë mendjes dhe veprimet e saj të jenë në koordinim me Shtëpinë e Bardhë dhe ShBA-në.

“Prandaj qeveria duhet t’i thërrasë mendjes dhe veprimet e saj të jenë në koordinim me Shtëpinë e Bardhë, SHBA-në, dhe assesi të mos lejohet që çështjet të kalohen në vendimmarrje në një grup më të ngushtë të afërt me kryeministrin e Kosovës, ku situata mund të përshkallëzohet më 28 Qershor në ditën e Vidovdanit nëse do të mbahet brenda territorit të Kosovës”, ka përfunduar Shala.

Ndryshe, më 20 qershor, gjatë një debati të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Washington, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur shqetësimin se tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Në të njëjtin debat, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka theksuar se “nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], atëherë ne po presim që të kemi viktima”.

Po atë ditë, Kurti ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës “është pasojë e drejtpërdrejtë e përzierjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës”.

Më 29 maj, në veri të Kosovës protestat u përshkallëzuan në dhunë, kur serbët në Zveçan që u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ushtarët e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR) përleshen me protestuesit lokalë serbë të Kosovës në Zveçan, 29 maj 2023, foto Reuters.

Dhjetëra të lënduar pati nga të dyja palët.

Protestat e tilla, ndonëse me intensitet më të ulët, po vazhdojnë ende.

Më 14 qershor, tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa u përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika