Vigan Morina nga “Ninja Forex”, ka thënë se skemat piramidale funksionojnë përmes platformave dixhitale.
Ai ka bërë të ditur se kanë filluar të hapen web-faqe të ndryshme dhe se një person nuk mund të regjistrohet vetë aty pa e ftuar dikush tjetër me një link të caktuar.
“Po e vërej që kjo po përhapet dita ditës”, ka thënë Morina, duke treguar se këtë e kupton nga mesazhet që merr çdo ditë nga njerëzit.
Morina në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka thënë se këso web-faqe po hapen çdo ditë dhe se nuk po përfundojnë si cikël, duke e konsideruar këtë si një rrezik.
Ai ka shtuar se një ndër këto web-faqe që ishin të famshme por që tashmë po konsiderohet si e mbyllur është “DCPTG”.
I pyetur se si njerëzit binden që të deponojnë para në këto skema, ai u përgjigj kështu:
“Njerëzit binden shumë lehtë, për shembull i’u thotë një shok që unë fitova dhe i nxjerra paratë e mia, e ne si natyrë njerëzore u besojmë njerëzve që qëndrojmë me ta dhe thua se edhe unë po e provoj. Ti i tërheq këto para një herë ose dy dhe i fton të tjerët dhe zinxhiri shkon duke u rritur. Së paku një person i fton dy të tjerë. Është e vërtetë që ata në fillime fitojnë, disa prej tyre edhe mburren por ajo mburrje mendoj që është e keqe sepse nuk janë të vetëdijshëm se dikë tjetër e kanë marrë “në qafë”…Është shqetësuese sepse këto skema nuk janë diçka e re, kanë ndodhur edhe para 2-3 vjetëve me disa platforma tjera”, ka shtuar Morina.
Ai ka rrëfyer se edhe vetë ishte rënë pre e këtyre skemave piramidala para 7-8 vjetëve përmes një platforme, ideja e së cilës ishte se janë zëvendësimi i bitkoinave.
Më tej, ai ka bërë të ditur se gjatë asaj kohe shuma ishte e vogël, por për të ishte përafërsisht një pagë.
Në studio, ai e ka demostruar funksionimin e këtyre skemave përmes disa shembujve, ku mes tjerash theksoi se është e domosdoshme që të të ftoj dikush.
Morina ka theksuar se këto skema piramidale duken si të njëjta por që ndryshojnë vetëm nga pjesa e brendimit. Arsyeja se pse janë me brendime, ai ka potencuar se është fakti që njerëzit besojnë në brende.
Për më shumë, mund të shikoni videon më poshtë: