Në afërsi të kufirit me Serbinë në veri të Kosovës, përkatësisht në Izvor, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën të hënën e 23 majit ka zhvilluar një aksion.
Gjatë këtij aksioni, është zbuluar laboratori i kultivimit të drogës me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg.
Po ashtu, është raportuar se ka pasur të shtëna armësh në drejtim të policisë.
Nga të shtënat, gjatë aksionit policor kundër krimit të organizuar, nuk ka pasur të lënduar.
Aksioni i doganës dhe policisë së Kosovës është cilësuar si i suksesshëm edhe nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe, duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës!”, ka deklaruar Sveçla.
Gjatë aksionit në veri, Policia e Kosovës ka hasur edhe në një laborator për përpunim dhe prodhim të substancave narkotike.
Vlera e drogës së konfiskuar nga zbulimi i laboratorit kultivues të drogës në Izvor afër kufirit me Serbinë, ka rezultuar të jetë gjashtë milionë euro, ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro.
Sveçla, në postimin e tij të fundit, ka publikuar edhe një fotografi të një zyrtari policor duke i vënë flakën drogës së konfiskuar.
Aksionin e ka përshëndetur edhe kryeministri Albin Kurti, derisa ka thënë se krimi në Kosovë po luftohet pandërprerë.
Ai, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, i ka falënderuar Policinë dhe Doganën e Kosovës për shërbimin e tyre.
“Krimi do të luftohet pa ndërprerje. Në Izvor, qytet në veri të Kosovës, policia jonë gjeti laborator të rritjes së marihuanës me mbi 10 mijë bimë ilegale. Pati të shtëna në drejtim të Policisë dhe Doganës, por ata janë të vendosur të vazhdojnë punën e tyre. Faleminderit për shërbimin tuaj”, ka shkruar ai.
Crime will be fought w/out interruption. In Izvor, a town in the north of Kosova, our police found a marijuana grow lab w/ over 10,000 illegal plants. Shots were fired upon police & customs officers, but they’re determined to continue their work. Thank you for your service. pic.twitter.com/6bHnrLew4K
— Albin Kurti (@albinkurti) May 23, 2022
Ky aksion është mirëpritur edhe nga Lista Serbe.
“Ne i japim përkrahje të plotë Policisë në veri për të vazhduar me aksione të tilla dhe për të mos lejuar individët të kriminalizojnë gjithë veriun me veprimet e tyre kriminale. Ne duam të dërgojmë mesazh të qartë se sa herë që Policia bën aksione profesionale si këto, gjithmonë do ta ketë përkrahjen e Listës Serbe dhe qytetarëve tanë”, është shkruar në postimin e Listës Serbe në Facebook.
Ndërkaq, gjatë së hënës, edhe në Ferizaj policia ka sekuestruar rreth 70-të kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit Captagon- (heroinë) dhe disa paisje për përpunimin e saj.
Nga ky aksion, janë arrestuar dhjetë persona, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës .
Gjashtë milion euro vlera e drogës së konfiskuar nga Policia e Kosovës