Drejtori i Simpoziumit “Filozofema”, Rdivan Emini, ka prezantuar detajet e organizimit të këtij aktiviteti ndërkombëtar për herë të parë në Kosovë.
Ky simpozium, siç ka thënë ai, është një bashkëpunim i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës dhe Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Prishtinës (UP), dhe gëzon mbështetjen e kryeqytetit Prishtina (Komuna e Prishtinës).
Emini ka shpjeguar se “Filozofema” është një simpozium ndërdisiplinor, i cili përfshin tematika të filozofisë, artit dhe teknologjisë.
Ai ka theksuar se ky simpozium është i hapur për të gjithë, jo vetëm për filozofët, dhe synon të promovojë ndërveprimin mes fushave të ndryshme.
“Ky Simpozium po organizohet për herë të parë në Kosovë, nuk ka të bëj vetëm me filozofi, ka të bëjë edhe me art e teknologji, është një simpozium ndërdisiplinor, është i hapur edhe për të tjerët. Kësaj radhe ne kemi arritur disa caqe që i kemi vendosur ne si kushte që me një afat pesë ose shtatë vjet me i thirr mysafirët, të cilët i kemi tash për herë të parë. Nuk e kemi ditur sesa ka me qenë gatishmëria e tyre për me ardhur në këtë organizim, por kemi hasur në mirëkuptim”, është shprehur ai.
Një nga momentet kyçe të këtij Simpoziumi që Emini ka ndarë për shikuesit e emisionit Reload në RTV Dukagjini, ftesa e mysafirëve të rëndësishëm nga skena ndërkombëtare.
Ai ka treguar se Boris Groys, një profesor i njohur në Universitetin e New York-ut, do të jetë folësi kryesor i simpoziumit dhe do të lidhet me të në një lidhje direkte, megjithëse aktualisht ai ndodhet në New York për të dhënë ligjërata.
Mysafiri tjetër që është i ftuar në këtë simpozium është Alan Malachowski, një profesor i nderuar nga Afrika e Jugut, i cili po ashtu do të ketë një lidhje direkte.
Simpoziumi “Filozofema” do të mbahet në datat 20 dhe 21 tetor, të premten dhe të shtunën, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Drejtori Emini ka shprehur dëshirën që ky simpozium të bëhet një ngjarje e rregullt dhe e njohur në Prishtinë, ndërsa ka ndërthurur krahasimin me “Doku Fest” në Prizren, duke shprehur synimin që Prishtina të identifikohet me këtë simpozium dhe të organizohet më herët edhe në vitet e ardhshme.
“Mendojmë që ky Simpozium me qenë në vazhdimësi, si të themi Doku Fest-i në Prizren që identifikohet Prizreni me të, Prishtina të identifikohet me këtë Simpozium, dhe synojmë që në vitet të tjera të organizojmë edhe më herët”, ka deklaruar ai.
Ky simpozium, sipas Eminit, synon të sjellë bashkëkërkues, studiues dhe entuziastë të filozofisë, artit dhe teknologjisë, për të diskutuar dhe ndarë idetë në këto fusha.