Në udhëtimin e fundit drejt Brukselit, përveç zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi, kishte udhëtuar edhe Ardita Sinani, ish-kryetare e Preshevës dhe këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës, për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sinani është takuar me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajramin, me të cilin ka biseduar për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Kështu ka bërë të ditur ajo me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, teksa ka shtuar se temë diskutimi ishin edhe zhvillimet aktuale politike në Kosovë.
“Bashkëbiseduam për zhvillimet aktuale rreth Kosovës, por edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët mbetën të diskriminuar dhe të shtypur, gjë që konfirmohet edhe nga raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave të njëpasnjëshme amerikane”, ka shkruar Sinani.
Harmonizimi i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese, Kosovës dhe Serbisë, sipas Sinanit “është në interes të paqes së nesërme midis tyre dhe jo vetëm”.
“Ambasadorin Bajrami dhe stafin e Ambasadës së Republikës së Kosovës e falënderova posaçërisht për kontributin dhe angazhimin e dhënë në këtë drejtim”.
Ndryshe, Bislimi, ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë dakordim për propozimin e Bashkimit Evropian në lidhje me afatin për targa.
I pyetur nga gazetarët se çfarë do të bëhet pas situatës të së hënës së 21 nëntorit, ai ka thënë “vjen e martja” duke thënë se nuk mund ta parashikojë askush.
Ndërsa, për takimin me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Bislimi ka thënë se ky takim ka qenë vetëm në mes të tij dhe Lajçak, dhe jo siç është raportuar në media se është takuar me Petar Petkoviqin.
“Takimi në Bruksel ka qenë vetëm mes meje dhe Lajçak. Çdo raportues që ka raportuar për zhvillimet në Bruksel është dezinformuar. Cdo gjë që është raportuar në media është dezinformatë. Bislimi është takuar me Petkoviqin, Petkoviqi nuk ka udhëtuar në Bruksel”, ka thënë Bislimi.
Ai ka thënë se me diskutimin e bërë me 17 gusht, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të diskutojnë për normalizim të marrëdhënieve.