Protestës së organizuar nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), do t’i bashkëngjitet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i sindikatës, Imer Zeqiri, i cili ka theksuar se me kërkesë për votimin e Projektligjit për tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti, pjesëtarët e policisë do të jenë pjesë e kësaj proteste.
“Ne edhe gjatë organizimit të protestave nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kemi marrë pjesë si kryesi ekzekutive e sindikatës për të përfaqësuar edhe kërkesat edhe të drejtat e Policisë së Kosovës. Edhe këtë protestë si kryesi e sindikatës do ta përkrahim dhe do të jemi prezent si kryesi ekzekutive e sindikatës, për arsye se kërkesat e sindikatës së KEK-ut janë edhe kërkesat tona”, ka thënë Zeqiri për EO.
Sipas tij, në këtë protestë nuk do të përfshihen policia, por vetëm kryesia e sindikatës.
Kjo për shkak se, sipas Zeqirit, ende janë në bisedime me qeverinë dhe janë në pritje të përgjigjes për realizimin e kërkesave të tyre.
“Do të jemi si kryesi ekzekutive, por Policia e Kosovës nuk ka organizuar ende protestë, aktualisht nuk e kemi në agjendë protestën me policinë e Kosovës për arsye se ende nuk i kemi harxhuar gjithë dialogun, pasi jemi në dialog me Qeverinë por kërkesat tona si Sindikatë e Policisë, ende nuk kemi marr përgjigje definitive se këto protesta nuk do të realizohen, dhe nuk e dëshirojë që Qeveria të na kthej përgjigjeje negative për kërkesat që i ka Sindikata e Policisë së Kosovës për të na detyruar edhe ne që të organizojmë një protestë dhe protesta me policinë është krejt n dorën e policisë se a donë me i pa policinë në rrugë apo jo”, shtoi ai.
Ai ka potencuar se në rast se qeveria nuk ofron përgjigje pozitive, atëherë do të dalin në rrugë për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Si kryesi e sindikatës do të jemi pjesë e protestës duke e përfaqësuar edhe Policinë e Kosovës, do të jemi aty për të përkrahur të drejtat e punëtorëve në përgjithësi. Në rast se vërtetë na mbyllen dyert nga Qeveria dhe marrim përgjigjeje negative definitivisht ‘jo’, kjo krejtësisht varet nga Qeveria se a do t’i ketë policinë në rrugë apo jo”, ka thënë Zeqiri.
Ndryshe, më 26 maj, nën moton “Duam paret tona”, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, qytetarët kanë protestuar pro projektligjit që lejon tërheqjen e kursimeve pensionale.
“Trusti është i joni, jo i qeverisë”, “Unë të votova ty, ti voto Trustin”, “Djersa jonë, kursimet tona”, “Mos na e cenoni mirëqenien”, “Populli po vuan shkaku i çmimeve”, “Zgjedhjet vijnë prapë, ti do të dënohesh”, ishin disa nga thirrjet e tyre drejt Qeverisë.
“Nuk ka kohë më shumë, durimi ka humbur”, ka thënë një nga protestuesit.
Në këtë protestë paqësore, kishin marrë pjesë edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, si, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike të Kosovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët, Besnik Tahiri, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj e të tjerë.