4 maji është Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve ku shtetet organizojnë aktivitete të ndryshme solemne në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat që bëjnë zjarrfikësit për t’iu dalë në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë emergjente në raste të ndryshme.
Në Kosovë, kjo ditë kalon në heshtje dhe shërbimin e zjarrfikësve e gjen në një pozitë të vështirë.
Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikësve ka theksuar se në rast të mos definimit të statusit juridik dhe kushteve të punës, do të organizojnë protestë në gjithë Kosovën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale, pasi askush nuk merr përgjegjësitë që iu takojnë si punëdhënës që të përkujdesen për t’i përmbushur obligimet që dalin nga aktet ligjore dhe nga kontrata e themelimit të marrëdhënies së punës. Kjo gjendje e krijuar i ka irrituar zjarrfikësit, ka krijuar gjendje të pakuptimtë, të papranuar dhe të papërballueshme”, ka thënë Beka për Portalin Dukagjini.
Problematike, sipas Bekës, qëndron edhe fakti se edhe pse aktualisht është në muajin Maj, ai ka pohuar se nuk janë paguar apo kompensuar në lidhje me orarin e punës gjatë festave. Më tej, ai ka thënë se nuk kanë sigurime shëndetësor edhe se kur ndodhin lëndimet në vendin e punës, shpenzimet mbarten te zjarrfikësit e jo siç e parasheh ligji që punëdhënësi duhet t’i kryejë.
“Muaji i pestë, edhe këtë vit zjarrfikësit vazhdojnë të jenë të diskriminuar. Nuk kompensohen festat zyrtare, nuk kanë kontrolle sistematike, nuk kanë sigurime shëndetësore, lëndimet në vendin e punës, që është obligim i punëdhënësit edhe në këtë rast nuk kryhen shpenzimet nga punëdhënësit, por që zjarrfikësit duhet nga xhepi i tyre”, ka theksuar Beka.
Kryesindikalisti i zjarrfikësve të Kosovës gjendjen e zjarrfikësve e ka quajtur si të “turpshme”.
Afrim Gjeli, shef i zjarrfikësve në Komunën e Drenasit, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka theksuar se shqetësimi kryesor lidhet për moskryerjen e obligimeve nga Qeveria e Kosovës ndaj zjarrfikësve qoftë për orët shtesë, festat zyrtare apo edhe ndërrimet e natës.
Gjeli ka treguar në detaje rreth kategorive që ligji i ri i pagave nuk i vlerëson ashtu siç i kanë pozicionet. Sipas tij, drejtuesi i ulët duhet të zëvendësohet me komandant batalioni, ndërsa shefi i ndërrimit duhet të jetë si udhëheqës skuadre.
“Zjarret fushore, zjarret malore, shtëpia banimi që digjen, aksidentet e komunikacionit rrugor, vërshimet nga reshjet e shiut etj., në të gjitha këto situata janë prezente gjitha ekipet e zjarrfikësve, për shpëtimin e jetës së njerëzve dhe pasurive materiale të tyre”, ka shtuar Gjeli.
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, për Portalin e Dukagjini ka theksuar se roli i zjarrfikësve është i harruar dhe trajtimi i tyre është i anashkaluar dhe se institucionet e Kosovës garojnë për të pasur privilegjin që t’i quajnë heronj vetëm në raste emergjente.
“Sot është 4 maji, Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve-shpëtues në mbarë botën. Në mbarë botën kjo ditë festohet dhe organizohen manifestime të ndryshme në nderim të këtyre heronjve. Ndërsa, te ne vërehet qartë se është një zhgënjim i madh i këtij shërbimi, sepse ata janë të patrajtuar në asnjë mënyrë dhe janë të harruar nga shteti i Kosovës”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka fajësuar institucionet e vendit për mostrajtimin e duhur të rolit të zjarrfikësve dhe ka përmendur edhe sfidat kryesore që hasin në përditshmëri në kryerjen e punëve, qoftë mungesa apo vjetërsimi i pajisjeve, qoftë edhe mosha mesatare e zjarrfikësve që është rreth 50-vjeçare apo edhe mungesa e helikopterëve, së paku Kosova të ketë një, për menaxhimin e situatave të ndryshme emergjente të fatkeqësive natyrore.
Ahmeti i ka quajtur heronj zjarrfikësit, pavarësisht rolit human që ata e kanë.
Ndërsa i ka bërë thirrje institucioneve përkatëse për zhvillimin e ndonjë trajnimi të avancuar si stimulim ndaj fatkeqësive natyrore.
Për të kuptuar më detajisht rolin e zjarrfikësit në Kosovë, Muharrem Beka, kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve ka theksuar se “zjarrfikësit janë të parët në menaxhimin e situatave të ndryshme të fatkeqësive”.
“Shërbimi i zjarrfikësve të shpëtimit i ka specifikat e veta. Është i kategorizuar si shërbim me rrezikshmëri. Është i themeluar për shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale”.
“Dhe mund te them se çdo herë është në vijë të parë të menaxhimit të emergjencave. Kudo që ka nevojë një situatë jashtë rendor, aty i sheh zjarrfikësit, në rast të zjarreve, aksidenteve trafikut, bllokimi i ashensorëve, tërmeteve, vërshimeve i reshjeve të shiut apo çdo situatë jashtë rendore, zjarrfikësit janë të parët në menaxhim të situatave”, ka përfunduar Beka.