Përfaqësuesit e sindikatave në Kosovë, kanë paralajmëruar protesta në mes të muajit prill për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e qeverisë së Kosovës.
Atdhe Hykolli, kryetar i Bashkimi të Sindikatave të Pavaruara të Kosovës, ka thënë se janë në pritje të miratimit të Ligjit të Pagave, dhe se pakënaqësitë e tyre do t’i shprehin përmes protestave.
“Jemi në një pikë ku jemi duke e pritur Ligjin e Pagave, që dëshirojmë që sa më shpejt ky ligj të kalojë edhe sado kudo të plotësojë atë zbrazëtirën që e kanë pasur punonjësit e Kosovës. Sindikatat i kanë edhe metodat e veta me të cilat i arrijnë qëllimet e veta”, është shprehur ai.
Raportin me qeverinë e Kosovës e ka konsideruar të mangët edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur i Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
“Në raport Sindikatë-Qeveri e Kosovës deri më tani nuk e kemi as lëvizjen më të vogël që mund të themi se dialogu në raport punëmarrës-Qeverie kemi zero”, ka thënë Azemi.
Në anën tjetër, sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, Ligji i Punës nuk po respektohet në rastet e pagesës së vikendeve.
Ai ka paralajmëruar protestë në rast të mospagesës së vikendeve, dhe se, të njëjtit, do t’i drejtohen përmbaruesit.
“I kemi adresuar disa kërkesa të cilat pothuajse nuk janë realizuar asnjëherë. Sapo të shteren mundësitë do të protestojmë dhe të përdorim metodat tona sindikale, për arsye se nuk po hasim në mirëkuptim”, është shprehur Llumnica.
Sipas tij, janë duke u injoruar nga menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Ne kemi dhënë një afat menaxhmentit kur do të kemi një takim kah mesi i prillit, mirëpo në rast se nuk ka realizim të kërkesave tona që janë të ligjshëm, ne si sindikatë duhet të protestojmë të zbatohet Ligji i Punës”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Ligji i Pagave është për nivelizim dhe, si i tillë, nuk duhet të prezantohet si ligj për rritje të pagave.
Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, Bislimi ka thënë se ky projektligj po vonohet, pasi duan ta përpilojnë një ligj cilësor, i cili nuk do të kthehej mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese si më parë.
“Projektligji për paga nuk është projektligj për rritje të pagave,por është projektligj për paga. Nuk është mirë që publikut t’iu prezantohet si narrativë që po vjen një ligj që i rrit pagat. Është duke ardhur një ligj që i nivelizon dhe i rregullon pagat, se nuk kanë qenë të rregulluara”, është shprehur ai.
Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në seancën e 31 marsit i ka vendosur disa pankarta në foltoren e kuvendit dhe në ulëset e disa ministrave me mbishkrimin “Ku është ligji i pagave?”.
Për të njëjtën çështje, para nisjes së seancës, ai ka mbajtur edhe një konferencë për media, në të cilën kishte thënë se, e njëjta, ishte premtuar që do të realizohej më 31 mars, por që nuk ka ndodhur.
“Ka pasur zotim të qeverisë që në fund të marsit të kalojë në qeveri. Ku është ligji i pagave, ku jeni fshehur me këtë ligj, ku është procesi i punës për finalizimin e ligjit. Pse na keni thënë se bëhet në mars, apo është pazotësi e juaja dhe nuk dini të bëni këtë ligj. Ky është obligim që e kemi deputet”, ka thënë Tahiri.
Ai ka theksuar se ky ligj ka qenë pjesë e agjendës legjislative të vitit 2021, dhe se për shkak të pa zotësisë së Qeverisë siç e ka quajtur ai, nuk është implementuar.