Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Serbisë pas njohjes së Kosovës nga Republika e Kenias.
MPJD-ja ka theksuar se Serbia ka zbuluar përsëri fytyrën e saj të vërtetë duke treguar se nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit.
Kjo ministri ka theksuar se vërehet se deklaratat e Serbisë janë një tjetër provë e refuzimit të Serbisë për të përmbushur angazhimet e saj në kuadër të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve të lehtësuar nga BE-ja, duke përhapur dezinformata dhe gënjeshtra.
“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”, thuhet në reagim.
Sipas Ministrisë, Serbia vazhdon të pengojë përpjekjet e Kosovës për të u integruar në mekanizmat ndërkombëtarë dhe të mbrojë një narrativë të rreme mbi të kaluarën.
“MPJ e Serbisë gjithashtu pretendon se njohja e Kosovës do të minojë dialogun e Brukselit. Nuk mund të ketë asgjë më larg së vërtetës. Është Serbia ajo që vazhdimisht refuzon ta përmbyllë dialogun dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshje, mohon hapur angazhimet e saj ndaj BE-së dhe mashtron bashkësinë ndërkombëtare. Serbia ka gënjyer jo vetëm BE-në, por edhe popullin e saj për dekada të tëra. Nuk është çudi, pra, që vazhdon të tentojë ta gënjejë edhe botën. Serbisë nuk mund t’i zihet besë”, thuhet tutje në reagim.
Në reagim theksohet se Serbia refuzon të njohë Kosovën dhe të zbatojë detyrimet që ka marrë sipas Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve, duke sfiduar gjithashtu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.
Për më tepër, MPJD-ja kritikon Serbinë për kërcënimet e saj ndaj Kosovës dhe për vazhdimin e agresionit ndaj shtetit të Kosovës, duke kujtuar sulmet e fundit në Banjskë dhe infrastrukturën kritike në kanalin e Ibër-Lepencit.