Është antari i vetëm nga Kosova në Këshillin Botëror të Korit, Memli Kelmendi, dirigjenti, kompozitori dhe profesori, i cili me përkushtimin dhe punën e vazhdueshme ka arritur që korin “Siparantum”, ta radhisë në mesin e koreve më të mira në botë.
Ai korin “Siparantum” e ka formuar në vitin 2016, dhe i cili ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare që një grup koral mund të marrë pjesë.
Ka krijuar histori, por edhe ka hapur rrugë për muzikën korale shqiptare, kështu duke bërë që kënga shqipe të bjerë në veshin e gjithsecilit muzikantë dhe artdashës.
Por, mbrapa një suksesi të tillë qëndron edhe një element i pashtershëm e që është dëshira dhe dashuria ndaj muzikës dhe profesionit.
Dirigjenti që tashmë edhe ka bërë një identitet i cili ka emrin “Siparantum”, në një intervistë për portalin Dukagjini ka shpalosur momente nga rrugëtimi dhe eksperienca muzikore ndër vite.
Suksesi tashmë është vulosur me çmimet që i ka sjellë Kosovës, por çfarë e ka shtyer Kelmendin që të formojë një kor i cili që nga fillimi ka funksionuar vullnetarisht?
“Përgjatë rrugëtimit tim profesional, kam qenë pjesë e takimeve, rrjetizimeve, të muzikës, punëtorive të ndryshme prandaj menduam se tashmë erdhi koha për formimin e një kori krejtësisht ndryshe prej koreve të cilat janë në skenën e muzikës korale në vendin tonë. Pikërisht, që në fillim ideja ishte e qartë, nëse krijojmë një kor, patjetër duhet të jetë ndryshe. Kështu në vitin 2016, me një iniciativë vullnetare formuam korin ‘Siparanum'”.
“Do të thoja që ideja për formimin e korit është përkrahur nga shumë artdashës, ish-nxënës, kolegë, por disa edhe hezituan, megjithatë, që nga dita e parë ne kemi qenë të bindur për rëndësinë e kësaj fryme të re, ishim të bindur që në fund kjo është në interes të kulturës, provomimit të vlerave tona në vende të ndryshme të botës”, është shprehur Kelmendi.
Arritjet asnjëherë nuk janë të rastësishme, prapa tyre qëndron gjithmonë një punë e palodhur dhe një përkushtim jashtëzakonisht i madh.
Por “Siparantum”, a ishte i përgatitur që në fillim që pika kulminante e tij do të jetë përfaqësimi i Kosovës në mesin e koreve më të mira?
“Po, padyshim që Po! Unë besoj dhe jam i bindur që puna, dashuria dhe përkushtimi sjellin suksesin e duhur. Ne kemi besuar në punën që bëjmë si shoqëri, përkushtimin dhe dashurinë që kemi për vendin tonë. Kemi punuar pa u ndalur dhe vazhdojmë me të nëjtin ritëm”, ka shtuar dirigjenti.
Sa është e vështirë të menaxhohet një kor i përmasave të tilla?
“Kori ‘Siparantum’ është një kor që përbëhet nga 50 vullnetarë (koristë). T’i bashkosh 50 muzicientë, nuk është punë e lehtë. Kjo kërkon përkushtim dhe qasje krejtësisht delikate”, ka shtuar dirigjenti.
Nga cilat vende të Kosovës vijnë antarët e korit ‘Siparantum’?
“Në fillim (2 vitet e para) ka qenë i fokusuar kryesisht në antarët që vijnë nga Peja. Por sot në korin ‘Siparantum’ ka antarë që vijnë nga qytete të shumta të Kosovës: Prishtina, Mitrovica, Gjilani, Vushtrria, Gjakova, Skënderaj, Kamenica e vende të tjera. Pra, janë mbi 50% e antarëve të korit që vijnë nga qytete të tjera (në formë vullnetare)”, ka thënë më tej.
Por, cili ka qenë qëllimi i këtij kori që nga paraqitja e tij si ide?
“Kori ‘Siparantum’ është krijuar për t’iu hapur mundësi artistëve tanë për të shprehur talentin e tyre, mundësi për të interpretuar në skenat më të mëdha evropiane dhe posaqërisht promovimin e kompozitorëve tanë të rinjë dhe motivimin e tyre për të promovuar veprat dhe kulturën tonë në skenat më të njohua evropiane”, ka theksuar kompozitori.
Ndër të tjera, ai ka numëruar paraqitjet dhe veprat me të cilat janë prezantuar ndër vite në koncerte, gara e ngjarje të ndryshme muzikore.
“Që nga viti 2017 deri më sot ne kemi shfaqur mbi 100 pjesëmarrje, brenda dhe jashtë vendit. Në repertorin e korit tonë janë mbi 130 vepra korale të stileve të ndryshme që nga periudha e renesancës deri te muzika bashkëkohore dhe veprat premierë të kompozitorëve vendor dhe të huaj”, ka shtuar Kelmendi.
Padyshim që e gjithë kjo eksperiencë nuk kalon pa ndonjë vështirësi, por cila ka qenë sfida më e madhe që keni pasur gjatë këtyre viteve?
“Duke u nisur nga numri voluminoz i antarëve dhe projekteve që ne kemi kaluar dhe vazhdojmë të kalojmë, ky rrugëtim padyshim që është i vështirë dhe kërkon një kosto të madhe. Sigurisht, deri më tani kemi pasur mbështetje institucionale dhe atë të sektorit privat, prandaj kjo do të thoja se është njëra prej sfidave që ne përballemi vazhdimisht ‘gjetja e fondeve’ për realizimin e projekteve ndërkombëtare”, ka potencuar ai.
Nga një vend i vogël, por me një punë të madhe, si ia doli “Siparantum”, të fitojë medaljen e artë në gara ndërkombëtare?
“Në tetor 2021 ne u paraqitëm në garat e muzikës korale në Kroaci në “Golden Lime of Tuhelj”, kështu në mesin e 16 koreve pjesëmarrëse ne arritëm të dalim me pikët maksimale dhe kështu ne morëm edhe medalje të artë”.
“Pjesëmarrja e korit në Olimpiadën e Koreve Botërore ‘World Choir Games’ është një histori në vete për muzikën tonë korale në vend. Ky sukses erdhi pasi unë jam tashmë e tre vite antarë në ‘World Choir Council’ dhe për të qenë pjesë e ‘World Choir Games’ na është dashur t’i plotësojmë disa kushte, që fatkeqësisht ne nuk plotësuam asnjë kusht përpos pikes së fundit që antari i këshillit të koreve botërore, ‘World Choir Council’ mund të nominojë një kor”.
“Të jesh në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës dhe në fund të dalësh triumfues, është sukses. Ne këtë e deshëm dhe e morëm. Kur jemi të bashkuar, jemi pjesë e suksesit, kjo është dëshmi suksesi”.
“Ne prezantuam muzikën tonë korale, paraqitëm kulturën dhe rininë tonë në mënyrën më të mirë, sigurisht që kjo do të jetë shumë më e lehtë për koret tona në vend”, ka shtuar kompozitori.
Ndër të tjera ai ka treguar sesi ka ndikuar pjesëmarrja në Olimpiadën e Koreve Botërore, për vazhdimësinë e paraqitjeve të tyre.
“Pjesëmarrja në ‘World Choir Games’ hapi një kapitull të ri për muzikën tonë profesionale. Ne u paraqitëm në kategorinë ‘Musica Contemporanea’ në Open Competition dhe kështu ne fituam kategorinë, vendin e parë dhe po ashtu morëm dy medale të arta. Ne u paraqitem në sallën më të njohur në Antwerp, Queen Elisabeth Hall, e cila ndryshe njihet si shtëpia e Filharmonisë Fllamane”.
“Përpos pjesëmarrjes në Competition, ne kishim edhe dy koncerte të jashtëzakonshme në Handelsbeurs dhe Kortrik. Ne u vlerësuam nga kritikët më të mëdhenj të muzikës korale në botë. Në mars ne shënuam një kapitull të ri për historinë e muzikës korale në vend, kështu kori ‘Siparantum’ u bë kori i parë që shkeli në sallën më të njohur në botë ‘Berlin Philharmonie’ që ndryshe kjo sallë konsiderohet ëndërr e çdo artisti”.
“Së fundmi ne kemi qenë pjesë e garës në festivalin evropian të koreve për të rinj ‘Europian Festival for Young People’ në Belgjikë, ku kori ‘Siparantum’ arriti të rrëmbejë dy shpërblime, dy vende të para në të dy kategoritë në të cilën kemi aplikuar: kategoria G – Ketegori e lire dhe Kategoria G (Pennant Category), Kategori me vepër të obligueshme”, ka theksuar Kelmendi.
Ndërsa, i pyetur se cili ka qenë vlerësimi më i madh që kanë marrë deri sot si grup koral, ai ka thënë që puna e tyre ka rënë në sy të gjithsecilit, dhe kjo ka qenë një arsyje më shumë për të vazhduar tutje.
“Kudo që kemi shkuar puna jonë është vlerësuar jashtëzakonisht shumë. Kjo është vërejtur, ndoshta pikërisht ky ka qenë motivi për të vazhduar tutje. Komentet për programin, paraqitjen skenike dhe interpretimin kanë qenë kulminante. Do të thoja që shumë kompozitorë, muzikologë dhe dirigjentë e kanë vlerësuar interpretimin duke vlerësuar teknikat vokale dhe intepretimin e veprave përbrenda stileve që kanë. Kori ‘Siparantum’ tashmë është në ‘Ranking List’ dhe është në mesin e 1000 koreve më të mira në botë”, është shprehur dirigjenti.
Pas gjithë sukseseve që keni arritur, çfarë presim nga kori “Siparantum” në të ardhmen?
“Ne jemi duke punuar për projektet e radhës. Në adresën tonë kemi ftesa të konfirmuara deri në vitin 2025. Nga java e ardhshme ne do t’i rikthehemi provave sepse në fund të muajit gusht ne do të sjellim një kor fantastik (të huaj) me të cilët ne do të kemi një program të përbashkët në Pejë dhe pastaj do të fillojmë përgatitjet për dy festivalet e ardhshme (jashtë vendit) që kemi deri në fund të këtij viti. Do të thoja që na pret një punë shumë e madhe në vazhdim sepse festivali në të cilin në do të marrim pjesë (në dhjetor) do të jetë tejet i rëndësishëm për rrugëtimin tonë”, ka thënë Kelmendi.
Teksa është pyetur se cilin nga paraqitjet do ta veçonte, ai ka thënë që “World Choir Games” është pjesëmarrja me të cilën “Siparantum”ka bërë histori dhe se do të mbetet një nga momentet më të veçanta.
“Do të mbetet i paharruar momenti më emocional në Olimpiadën e Koreve Botërore ‘World Choir Games’ me ç’rast Kosova është përfaqësuar më korin ‘Siparantum’ për here të parë në historinë e shtetit tonë. Momenti më emocional erdhi kur puna jonë u vlerësua, ne morëm vendin e parë, pra fitues të kategorisë ‘Musica Contemporanea’ në Open Competition, kështu ne morëm dy të arta. Sot dhe përherë ky do të mbetet njëri prej momenteve më të veçanta”, ka përfunduar antari i Këshillit Botëror të Korit, Memli Kelmendi.
Ndryshe, “Siparantum”, para disa kohësh ka festuar edhe 5-vjetorin e themelimit të tij.