Ministri për Punë të Jashtme në Maqedoni Bujar Osmani, ka folur për negociatat me Bullgarinë, ndërsa deklaroi se “topi është në Sofje dhe se ata duhet të bëjnë lëvizje”.
Bujar Osmani ka theksuar se Maqedonia e ka thënë atë që ka pasur në të gjitha takimet, madje ka formalizuar dokumente të ndryshme.
I pyetur në konferencën e sotme tematike për Forumin e Prespës për Dialog 2022 për të komentuar deklaratën e presidentit bullgar Rumen Radev se “nuk do ta lejojë maqedonizmin të hyjë në BE”, Osmani ka theksuar se në Bullgari ka palë të interesuara që me provokime ta çojnë të gabojë palën maqedonase, transmeton “Telegrafi”.
“Presim që Republika e Bullgarisë të ketë një qëndrim të konsoliduar të Qeverisë për atë se çfarë do të bëhet më pas me këtë proces. Për fat të keq ka komunikim, por nuk kemi bisedime konkrete derisa të dëgjojmë atë qëndrim të konsoliduar nga Bullgaria”, ka thënë Ministri për Punë të Jashtme në Maqedoni Bujar Osmani.
Ai mohon se po përgatiten apo shqyrtohen propozime dhe tema konkrete.