Banda “Sytë” nga Prishtina kanë lansuar këngën e tyre më të re “Sirena”. Për këtë këngë kanë diskutuar dy anëtarët e grupit, Drin Tashi dhe Granit Havolli, në hapësirat e Radio Dukagjinit, në emisionin “Drive on D” me Donika Hysenin dhe Mirdon Pacollin.
Tashi në “Drive on D” bëri të ditur se si erdhi ideja për realizmin e këngës “Sirena”. Ai ka theksuar se sa i përket teksit nuk mundet të flasë edhe shumë, pasi është shkruar nga vokalistja e bandës, Nita Kaja, e cila është në Amerikë, por që mundet të flasë sa i përket anës muzikore.
“Njeri kryesor që është dashur të flasë për këtë këngë është Nita, e cila është në Amerikë, pasi Nita e shkroi tekstin, kështu që unë po flas për muzikën më shumë…krejt ka filluar më disa sounda (zëra) si nën ujë dhe kjo ka qenë diçka si insprim për Nitën që ta shkruajë një tekst të tillë”, ka thënë Tashi.
Sipas tij, edhe kuptimi i tekstit pak a shumë tregon se si sirena tenton të tërheqë afër saj, ta largojë nga një lidhje e shëndetshme dashurie, dhe Nita në këtë tekst i ka thënë jo sirenës dhe e ka zgjedhur dashurinë.
Tashi ka treguar për vëshirësitë e realizmit të këngës “Sirena” dhe këngëve të tjera.
Ai ka treguar se para një viti kanë filluar të punojnë në këngën e fundit të tyre.
“…zakonisht ne shkruajmë këngë, dhe i punojmë gjatë, psh. një këngë që u publikua tash ka mundësi që është nisur para një viti” ka shtuar Tashi.
Ndërsa, Havolli ka thënë se “zakonisht janë disa ideja pjesë-pjesë, edhe përafërsisht deri sa t’iu vije koha, jemi duke punuar me një këngë sikur kjo, por ka tash edhe këngë të tjera që priten të punohen, të cilat janë në raft duke pritur, e ia nis edhe tjerave këngë t’iu vije rendi”.
Ai ka shtuar se varet edhe prej disponimit se cilën këngë e realizojnë më përpara se tjetrën.
Drin Tashi ka treguar se si erdhi emri i bandës “Sytë”.
“Emri i bandës është ‘Sytë’ veç pse na ka tinglluar mirë mua e Nitës, edhe kemi dashur që edhe diçka të jetë shqip, pasi të gjitha këngët janë anglisht”, ka theksuar Tashi.
Ata treguan se arsyja se pse banda është kaq e dashur jo vetëm në Kosovë, por dhe në vende të ndryshme të Evropës, është gërshetimi i zhanreve nga të gjithë anëtarët e bandës, dhe kështu bëhet banda “Sytë”.
Këngën më të re bandës “Sytë”, “Sirena”, mund ta gjeni në platformën YouTube, por edhe në platformat e tjera, gjithashtu edhe në rrjetet sociale të anëtarëve të bandës. Më këtë, ata i ftojnë të gjithë që ta dëgjojnë muzikën e tyre dhe të presin dhe më shumë, pasi kanë disa këngë të gatshme që pritet të lansohen nga dita në ditë.