Situata e sigurisë në Ballkan – “brengat” rajonale

Agresioni ushtarak rus në Ukrainë, kritikat ndaj Serbisë, kriza e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të mallrave në botë ishin disa nga temat e diskutuara gjatë samitit rajonal të Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor





Të martën e 25 tetorit, në Prishtinë është mbajtur Samiti rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga “The Economist”.

Fokus i këtij samiti ishte agresioni ushtarak rus në Ukrainë, kriza e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të mallrave në botë.

Fjalimin e parë e nisi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili kritikoi raportet e Serbisë me Rusinë duke thënë se “Beogradi po dërgon sinjale se po zgjedh autokracinë”.

Sipas tij, në kohën kur po vazhdon agresioni rus në Ukrainë, Serbia ka arritur dy marrëveshje me Moskën, atë për furnizim me gaz edhe për tri vjet, dhe një marrëveshje për koordinim të politikës së jashtme.

“Serbia dëshiron t’i sigurojë të gjitha, edhe armë ruse, edhe investime kineze, fonde evropiane, por edhe tolerancë amerikane. Por, pushtimi rus ka zbuluar diçka së cilës i jemi frikësuar shumë, por nuk e kemi ditur me siguri: ballafaquar me zgjedhje midis demokracisë dhe autokracisë, Beogradi çdo ditë po përçon sinjale të qarta që do ta zgjedhë këtë të fundit”, kishte thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit ka thënë se Serbia po paraqet “kërcënim” për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar faktin se ka refuzuar t’i bashkohet vendeve evropiane në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

“Po të ishte Rusia demokraci e vërtetë, me shumë gjasë nuk do ta sulmonte kurrë Ukrainën. Ngjashëm, po të ishte Serbia demokraci e vërtetë, e jo një shtet me një parti ku opozita nuk ka kurrfarë gjase që të fitojë, nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjatë në rajonin tonë”, shtoi ai.

Gjatë panelit të titulluar “Rritja e qëndrueshme, prosperiteti dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, pjesëmarrës ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier.

Në fjalimin e tij, Hovenier ka thënë se prioritet më i lartë i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor është shtyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane dhe atlantike.

Ai ka potencuar se ndonëse ky version nuk është i ri, megjithatë është edhe më urgjent sa i përket sulmit brutal, të pajustifikuar të presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.

“Prioritetet tona janë pikërisht për këtë vizion, për një rajon me paqe, siguri dhe prosperitet dhe ky version nuk është i ri. Por do ta them se është edhe më urgjent sa i përket sulmit brutal, të pajustifikuar të Putinit kundër Ukrainës dhe mendojmë se ky është i njëjti si i partnerëve tanë anë e mbanë Evropës, prioriteti ynë më i lartë për Ballkanin Perëndimor është që të mbështeten integrimet evropiane, thjesht duam që t’i mbështesim dhe t’i shtyjmë vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat e institucionet evropiane dhe atlantike”, ka thënë Hovenier.

Po ashtu, ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se prioriteti amerikan në Ballkan është mbështetja për anëtarësimin e vendeve në Bashkimin Evropian.

“Mendojmë që çdo vend që është anëtar i BE-së do të jetë më stabil dhe demokratik, dhe mendojmë që edhe shtetet e BP-së do ta kenë një perspektivë të tillë dhe duhet të jetë edhe qëllimi ynë strategjik”.

Ai ka thënë se SHBA-ja e mbështet Kosovën që të marrë vendin e vet në strukturat dhe kombet euroatalantike, dhe sipas tij kjo kërkon punë të madhe.

Në anën tjetër, pjesë e këtij samiti ishte edhe ish-presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, tani kryetar i Fondacionit “Friedrich Ebert Foundation në Gjermani, i cili e ka kritikuar mënyrën se si Bashkimi Evropian po i menaxhon krizat.

Schulz ka thënë se pajtohet me të gjithë ata që kërkojnë që BE-ja të reformohet.

“Vlerësimi im është që BE-ja po dështon në reagimin ndaj sfidave në të cilat po jetojmë. Por si ta ndryshojmë këtë? I mbështes te gjithë këta njerëz në Bruksel që kërkojnë reformë tërësore të BE-së. Kërkoj reformë në BE, ndryshimin e sistemit të votimit para zgjerimit”, ka thënë ai.

Schulz më tej theksoi se pajtohet me atë që tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se po të ishte Rusia shtet demokratik nuk do ta sulmonte asnjëherë Ukrainën.

Edhe ish-kryeministri i Greqisë, George Papandreou, i cili mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, ka kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë nga Kosova dhe Serbia, që t’i tejkalojnë konfliktet përmes dialogut.

Papandreou u shpreh se është i vetëdijshëm se anëtarësimi i Kosovës në Ballkanin e Hapur nuk është i lehtë, teksa e ka përmendur edhe Procesin e Berlinit si iniciativë ku mund të marrë pjesë edhe Kosova.

“Ballkani i Hapur e di që është i vështirë për Kosovën, kemi edhe Procesin e Berlinit. Do të ofroj mbështetjen time për të gjetur mënyrë për të punuar bashkërisht. Të tejkalojmë konfliktin dhe të sjellim dialogun. Ne duhet të integrojmë Ballkanin Perëndimor në fushat ku ka bërë përparim”, ka thënë ish-kryeministri i Greqisë.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri i Greqisë tha se është e rëndësishme që të shihen vlerat e përbashkëta nga vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe të tentohet që të ketë shoqëri ku mbizotëron e drejta dhe ligji.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në fjalën e saj ka thënë se qasja në Bashkimin Evropian do të mbetet si sfidë kryesore.

Siç potencoi Gërvalla, është vështirë të flitet për Evropën, paqen e stabilitetin, pa i përmendur dy sfidat kryesore të cilat duhet menaxhuar.

Një nga to është çështja e zbatimit të marrëveshjes për targat me Serbinë.

“E para është çështja e zbatimit të ligjit që më 31 tetor është shumë me rëndësi në Kosovë, por shihet nga Rusia dhe Serbia si mundësi për të përforcuar rrezikun në Kosovë dhe në vende të tjera dhe problemi tjetër është strukturor, rreziku afatgjatë për paqen në vendin tonë dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se nëse nuk zgjidhen problemet parimore bazike, atëherë do të “humbësh kohën me çështje të vogla që nuk e sjellin procesin e normalizimit me fqinjët”.

Dialogu me Serbinë ka të bëjë me normalizimin që duhet të sjellë edhe njohjen reciproke dhe marrëveshja përfundimtare duhet të jetë kjo, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar “brengën” e shtetit të Kosovës lidhur me iniciativat e ndryshme që sipas saj hapin rrugën e influencës në regjion.

Po ashtu, Gërvalla ka potencuar se integrimi i Kosovës në BE dhe NATO është i domosdoshëm, ngase integrimi euroatlantik sipas saj është ajo që garanton stabilitetin dhe paqen afatgjate.

Kurse, zëvendëskryeministri i parë në Kosovë, Besnik Bislimi, gjatë fjalimit të tij në Samitin rajonal të Ballkanit për sigurinë, ekonominë dhe paqen, ka thënë se i gjithë qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që në takimet e radhës të mos flitet për tensionimin e situatave në rajon, por për çështjet ekonomike.

Fjalimin e tij Bislimi e ka ndërtuar duke adresuar pesë pyetje.

“Po synojmë një gjendje ku trajtohen çështjet ekonomike dhe jo të sigurisë më. Diskutimi të mos fillojë më me çështje të tensioneve apo gjëra të tilla të stabilitetit, por si ta arrijmë atë rritjen ekonomike më shumë se 10 për qind apo si e kemi arritur këtë aderim në BE, apo si po menaxhohet kriza në energji”.

Zëvendëskryeministri ka treguar pse Kosova duhet të jetë vend që duhet zgjedhur për të investuar.

Po ashtu, sipas tij, teknologjia e informacionit dhe komunikimit është një nga sektorët premtues.

Ndryshe, pos këtyre ministrave, ka folur edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.





Shija e redaktorit

Nesër, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga...

Libri “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye do të promovohet nesër, më 28 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”...

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Të fundit nga rubrika