Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se pas situatës së krijuar nga reshjet e shiut, së bashku me Qendrën Rajonale të Shendetit Publik në Pejë janë në monitorim të vazhdueshëm.
Sipas tyre, situata është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm me mostrimin e ujit për pije.
Kështu thuhet në njoftimin e IKSHPK-së, ku theksohet se janë në bashkëveprim dhe në kontakt të vazhdueshëm me KRU Hidrodrini – Pejë.
“Bazuar në të dhënat e inspektimit nga tereni, vërehet turbullirë e shtuar e ujit dhe atë kryesisht në rajonin e Deçanit, Klinës dhe Istogut”, thuhet në njoftim.
IKSHPK rekomandon që uji të vlohet para përdorimit, dhe të konsumohet uji për pije nga resurset e sigurta ose uji i ambalazhuar.
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, ka bërë thirrje që uji i pijes të vlohet para se të konsumohet.
Me anë të një njoftimi për media, teksa kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar gjatë vërshimeve, kjo kompani ka bërë të ditur se reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që toka të përmbytet nga uji e me të edhe pusetat e ujëmatësve dhe pustetat tjera të jenë të mbushura me ujë të ndotur.
“Në një situatë të tillë ka mundësi që uji i shiut nga pusetat tuaja të depërtojë përmes ndonjë vrime potenciale në rrjetin tuaj të furnizimit. Në këtë rast uji i pijes të cilin e konsumoni ju mund të kontaminohet me ujë të papastër. Prandaj në këso situate rekomandohet që uji i pijes të vlohet para përdorimit në mënyrë që të shmangen situata të pa dëshirueshme”, thuhet në njoftim.
Ndërsa në rast se vërehet se uji i pijes është i turbullt, sipas kësaj kompanie rekomandohet që i njëjti të mos përdoret për pije.
“Po ashtu, lusim të gjithë ata konsumator të cilët posedojnë furnizim të dyfisht; ujësjellës dhe pus (bunar) të sigurohen që uji nga pusi mos të kthehet në sistem të ujësjellësit pasi që i njëjti mund të ndikoj në kontaminimin e ujit të pijes jo vetëm tek shfrytëzuesi por edhe tek fqinjët e tyre”, vijon njoftimi.
Po ashtu, është bërë e ditur se si pasojë e dëmtimit të gypit kryesor furnizues, pa ujë të pijes kanë mbetur fshatrat: Nedakoc, Sfaraqak, Pestovë, Novosellë, Lum i Madh, Stanofc Epërm dhe Stanofc i Ulët.
“Riparimi i gypit të dëmtuar parashihet të fillojë nesër në mëngjes dhe shpresojmë që deri në orët e pasdites të sanohet problemi dhe të rikthehet furnizim me ujë të pijes për këto fshatra”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”, ka bërë thirrje drejt konsumatorëve që të mos konsumojnë ujë pa e vluar atë.
Me anë të një komunikate për media, nga KRU “Hidrodrini”, thonë se në bazë të raporteve nga terreni thirrja vlen posaçërisht për zonën e Istogut, Deçanit dhe Klinës.
Kjo si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë nisur që nga dita e shtunë.