Të mërkurën e 31 gushtit, në pikën kufitare në Bërnjak, situata raportohet të jetë e qetë.
Ekipi i RTV Dukagjini që ndodhet në vendin e ngjarjes ka raportuar se tri orë para se të hyjë në fuqi masa e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet e shtetasve serbë, situata rezulton të jetë e qetë.
Poashtu edhe pika kufitare me Serbinë në Merdare raportohet të jetë e qetë.
Pas një komunikimi me policinë, është kuptuar se gjithçka është gati për të respektuar këtë marrëveshje të arritur mes palëve në Bruksel.
Ata kanë thënë se në rast se Serbia nuk e respekton marrëveshjen dhe lëshojnë dokumente sikurse deri më tani, ata janë po ashtu të gatshëm të zbatojnë reciprocitetin.
Ndryshe më 31 korrik, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet për hyrje-dalje, kjo pasi në ditën që duhej të implemetohej ky vendim, serbët lokalë në veri të vendit kishin vendosur barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak.
Kjo shtyerje e vendimit erdhi pas një takimi të mbajtur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Kërkesa e Hovenier ishte që të shtyhet vendimi për reciprocitet deri më 1 shtator për shkak të tensioneve në veri.
Ndërkaq pas takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 18 gusht në Bruksel dhe takimeve shumëpalëshe me zyrtarët evropianë nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje.
Pas bisedimeve të gjata dhe vizitave të emisarëve në Kosovë e Serbi, më 27 gusht Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e kishte dhënë lajmin se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi Serbia kishte rënë dakord t’i shfuqizojë dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët e Kosovës.