S’ka koordinim për Faturat, prishtinasit rrezikojnë përmbaruesin për fatura të dyfishta

Përplasja në mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes “Pastrimi” ka sjellë konfuzion në faturimin e mbeturinave për qytetarët. Në bazë të rregullores së re që ka hyrë në fuqi nga janari 2025, faturat mujore duhet të dërgohen nga kompania “Pastrimi”. Por Komuna ka dërguar njoftime të kundërta, duke kërkuar që pagesat të bëhen në llogarinë e saj, madje me kërcënim për përmbarim. Nga “Pastrimi” e quajnë këtë veprim të kundërligjshëm dhe të qëllimshëm për dëmtim financiar, ndërsa opozita vlerëson se kjo përplasje po i kushton qytetarëve. Ndërkaq, Komuna nuk ka komentuar për këtë situatë

Është hera e parë që Valon Jakupit fatura e mbeturinave i ka ardhur ndryshe.

Këtë herë e njëjta i është dërguar në emër të kompanisë “Pastrimi”. Për rrjedhojë, për t’a paguar ka ardhur në pikën e “Pastrimi”-t afër komunës.

“Këtë muaj na ka ardhur direkt nga Kompania “Pastrimi”, paraprakisht e kemi paguar në Komunë. Qe 11 vite që jetoj këtu, faturat kanë ardhur direkt nga komuna ose ka dasht të vijmë në komunë të kryejmë pagesën. Për herë të parë erdh kjo, fatura e Pastrimit. Të jem i sinqertë, fatura mbetet faturë e çështjet e tyne nuk i di.  Do duhej sqarim sepse po të merrnim fatura e nuk jemi në dijeni, do duhej të njoftoheshim”, ka thënë Valon Jakupi, qytetar i Prishtinës.

Me ndryshim-plotësimin e rregullores për menaxhimin e mbeturinave, pagesat mujore i adresohen operatorit të caktuar, në këtë rast “Pastrimit”.

Ndërkohë, banorëve që nuk janë deklaruar publikisht, u ka arritur njoftimi se këto pagesa do t’i adresohen komunës, e madje edhe me kërkesë për të kryer obligimet e tremujorit tek përmbaruesi.

Për kryeshefin e Kompanisë “Pastrimi”, ky veprim i komunës që bie ndesh me rregulloren, qëllimin e ka të qartë, që të angazhoj një kompani private.

Për të kaluarën pagesat janë bërë në komunë, mirëpo nga janari 2025 kjo është përcaktuar me rregulloren e mbeturinave në fuqi që e përcakton vetëm KRM Pastrimi për faturim dhe inkasim. Njoftimet e fundit nga komuna janë të kundërligjshme edhe me faturimin për tre muaj, sepse në rregullore nuk lejohet faturimi për tre muaj, mirëpo vetëm muaj për muaj. Thirrja është bërë për të dëmtuar financiarisht KRM Pastrimi.

Nga 01 janari 2025 e deri më sot, KRM “Pastrimi” është duke kryer shërbim në tërë territorin e Prishtinës derisa deri më tani nuk kemi pranuar asnjë pagesë nga Komuna e në veçanti një numër shumë i vogël i pagesave është bërë nga vetë qytetarët. Për shërbimin e kryer për këtë periudhë jemi pa inkasim të vlerës  2,157,600.00 Euro, të cilat seriozisht rrezikojn të pamundësojnë kryerjen e shërbimeve dhe obligimeve që kemi duke e pasur parasysh që të gjitha shpenzimet janë barrë e Pastrimit dhe jo Komunës (deponi, derivate, pagat e punëtorëve, et.)

Ky keqinformimi i qytetarëve është duke ardhë si rrjedhojë e veprimeve të kundërligjshme të Komunës së Prishtinës me tendencë të rëndimit të gjendjes financiare të kompanisë dhe për të ja pamundësuar operimin KRM “Pastrimi” me të vetmin qëllim që ti hapin rrugë kontratave të kundërligjshme të angazhimit të operatorëve privat me vlerë mbi 18.5 milion euro për vetëm 3 vite.Petrit Reçica, Kryeshef i KRM “Pastrimi”

Reçica ka bërë të ditur se borxhet do të kalojnë tek përmbaruesit që nga data 20 prill dhe barrën më të madhe do ta bartin qytetarët.

Pas datës 20.04.2025 ne do të procedojmë të gjithë ata që nuk kanë paguar obligimet e tarifave për këtë periudhë kohore tek Përmbaruesi Privat. Ndërkaq sa i përket thirrjeve nga Komunës dhe komunikimeve zyrtare që keqinformojnë qytetarët si në rastet kur zyrtarë të DSHP-së përmes emailave zyrtare si dhe faturave dhe vërejtjeve të dërguara përmes postës, ju njoftojmë që peshën e përgjegjësisë financiare dhe përgjegjësisë ligjore do ta bart Kryetar i Komunës dhe pjesa tjetër e menaxhmentit të Komunës. Deri më tani qytetarët e Komunës së Prishtinës nuk janë dërguar ende në Përmbarim sepse jemi në pritje të Komunës dhe Kryetarit për reflektim dhe ndërprerje të keqinformimit të qytetarëve përmes së cilës po i rrezikojnë të ju krijojnë kosto shtesë dhe të panevojshme. Petrit Reçica, Kryeshef i KRM “Pastrimi”

Ndonëse nuk beson se çështja do të arrijë deri tek përmbaruesi, për opozitën shqetësuese mbeten inatet mes dy palëve.

“Qytetarët kanë pranuar fatura kërcënuese për përmbarim e në anën tjetër, disa prej tyre pagesat i bëjnë në Komunë e disa në Pastrim. E keqja është se është shkaktuar një shqetësim, s’besoj se do të ketë përmbarime për shkak se mjetet tek e fundit dedikohen për shërbimin e njëjtë. Por është pasojë e luftës mes Komunës dhe Pastrimit, për inate dhe interesa të tyre po pësojnë qytetarët. Komuna do duhej të dilte me një deklaratë t’i qetësonte qytetarët se nuk do të ketë raste përmbarimore për ata që paguajnë faturat. Në anën tjetër, duhet ta zbatojë ligjin. Në ligj është rregullorja që deklaron se pagesa bëhet te “Pastrimi”, ka thënë Gëzim Sveçla, kryeasamblist i LVV.

Këtë herë, Komuna, respektivisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me situatën.

Shija e redaktorit

“Dukagjini Resort” te Rana e Hedhur, në fillim të rrugës...

"Dukagjini Resort" është një projekt i jashtëzakonshëm arkitekturor te Rana e Hedhur, në kilometrat e parë të rrugës së re Shëngjin-Velipojë. Resorti, puna për ndërtimin...

Distria Krasniqi shpallet për herë të tretë kampione e Evropës...

Distria Krasniqi ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian që po mbahet në Podgoricë të...

Kongresi Amerikan paraqet rezolutë kundër krimeve të dhunës seksuale në...

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), njofton se Kongresi Amerikan paraqet Rezolutën 26 – një zë i fuqishëm kundër krimeve...

Të fundit nga rubrika