Në Kuvendin e Kosovës, për shkak të mungesës së deputetëve, nuk ka mundur të miratohet në lexim të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë.
Në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë. Mazhoranca mbështeti projektligjin, por opozita, përfaqësuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ishin kundër.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi, ka theksuar se ky projektligj synon të krijohet një administratë profesionale dhe të përgjegjshme, për të përmbushur standardet më të mira.
Sidoqoftë, kritika për këtë projektligj erdhi nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili e ka cilësuar si të çuditshëm dhe antikushtetues.
Sipas tij, me këto veprime po tregohet se pushteti po bën gjithçka për të shkatërruar administratën shtetërore.
“Kjo nismë legjislative sa është e çuditshme është po aq është edhe në kundërshtim me çdo praktikë të jetës parlamentare që e kemi tash e sa vite në Kosovë. Është ligji i tretë apo katërt që lidhet me administratën publike dhe ministri i Administratës Publike nuk e thotë asnjë fjalë as për ligjit për pagat e zyrtarëve publik, por as për ligjet paraprake që lidheshin me zyrtarët publik”, ka thënë Selmanaj.
“Tani na vjen një projektligj për një çështje, e cila duke u trajtuar në Gjykatën Kushtetuese jashtë çdo logjike dhe praktikës parlamentare dhe unë mendoj se është kundër rendit juridik kushtetuese të ndërtuar në Kosovë“… Kjo ka vetëm një arsyetim ju nuk po doni mos me humb asnjë ditë për me kap administratën e shtetit dhe për ta shkatërruar unë mendoj se jeni duke i bërë dëm të madh vendit dhe jeni duke shkatërruar një administratë”, është shprehur tutje ai.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar se ky projektligj nuk është i fokusuar në rregullimin e pozicionit të zyrtarit publik, por është një ligj që synon të rregullojë pozicionin politik dhe partiak në nivel të lartë.
“Kuvendi i Kosovës po e bën një histori që nuk ka ndodhur deri më tani dhe ajo histori nuk është e faqes të bardhë, por e faqes së zezë për secilin deputet. Sot në seancë të jashtëzakonshme po e trajtojmë një ligj, i cili është i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për të cilin pritet të Gjykata Kushtetuese ta merr një vendim që ta kundërshtoj apo miratoj. Sot ka ardhur një amendamentin i ligjit që është për zyrtarët publik, i cili në esencë nuk është ligji për rregullimin e pozicionit të zyrtarit publik, por është ligji për rregullimin e pozicionimit politik dhe partiak në nivel të lartë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, në seancën e së enjtes, me 76 vota për asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin për skemat pensionale.
Pro këtij projektligji votuan edhe deputet e LDK-së përkundër se Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ma herët pati thënë se kalimi i ligjeve nëpërmjet seancave të jashtë zakonshme e humb kualitetin e këtyre ligjeve.
“Çka ka të jashtë zakonshme, pse duhet Kuvendi i Kosovës mi mbajt dy seanca të jashtë zakonshme brenda ditë mi shqyrtuar 3 pika të cilat janë totalisht të ndryshme”, ka thënë Gashi.
Sa i përket këtij impaktit financiar që ka ky Projektligj, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se parashihet të jetë rreth 60 milionë euro në vit.