Rrahman Jasharaj, mbase është personaliteti publik më i përmendur këto ditë, krahas kryeministrit Albin Kurti.
Ky i fundit, për kohë të gjatë refuzoj një takim me kreun e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, porse rezistenca e tij mori fund këtë të marte.
Shefi i qeverisë me të filluar orarin e punës e priti të takim Rrahman Jasharajn që po shoqërohej edhe me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevistë.
Në anën tjetër shefi i qeverisë po shoqërohej nga Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Takimi u organizua në funksion të gjetjes së një zgjidhje për të ndërprerë grevën, por si përfundim nuk pati as edhe një rezultat.
Pas një përballjeje të gjatë brenda Qeverisë, të parët dolën Këshilli Grevist të cilët treguan mospajtimet me Qeverinë.
“Takimi ishte permbajtesor, na vjen mirë që Kurti u takua me ne por fatkeqësisht nuk pati asnjë marrëveshje. Kurti nuk bëri kompromise në ndryshimin e pakos që e kanë paralajmëruar e ne po ashtu nuk u tërhoqëm nga kërkesa jonë”, ka thënë Rrahman Jasharaj.
Madje, në pyetjen e gazetareve se nëse Kryeministri ka lëshuar pe në ndonjë pikë, përgjigjia e Jasharajt ishte e shkurt.
“JO”, është përgjigjur Jasharaj.
Pak kohë më vonë, për ti shpalosur qëndrimet e tyre në konferencë për media, doli edhe kryeministri Albin Kurti, bashkë me dy vartësit e tij.
Shefi i qeverisë, tregoi për një kërkesë interesante që i bënë Këshilli Grevistë gjatë takimit.
“Më thoshin ‘na ndihmo si vëlla’, si vëlla të ndihmoj privatisht. Por ka kaluar koha kur kryeministri të ndihmon si vëlla”. Unë të ndihmoj privatisht por jo si kryeministër. Nuk bënë të bankrotoj shteti. Ky insistim është moskokcarje për shtetin”, ka thënë Kurti.
E më e rëndësishmja e digasterit të arsimit, Arbërie Nagavci po i sheh shqetësuese deklaratat e SBASHK-ut që orët e humbura nuk do të zëvëndësohen.
“Deri të premten e javës së kaluar, kur ishin shtatë ditë të pa mbajtura të mësimit, mesatarisht janë diku rreth 580 mijë orë të humbura. Po besoj që pajtoheni se janë tepër shumë. Edhe për mua është tepër shqetësuese deklarimi me lehtësi se asnjë orë nuk do të zëvendësohet. Përtej asaj që janë zgjedhur format më ekstreme të shpalljes së pakënaqësisë ose kërkesës për një vlerë, e cila faktikisht tashmë ka të bëjë me 30 euro, nuk ka të bëjë me as 100 euro”, ka deklaruar Nagavci.
Ndërkohë, Ministri Financave, Hekuran Murati tha se për të gjitha kërkesat ka pasur ofertë nga qeveria. Sipas tij, kërkesat e Këshillit drejtues janë plotësuar me ofrimin e shtesave për përballje me inflacionin dhe pakon e rimëkëmbjes ekonomike.