“Çka ka artistike te Adem Jashari. Shikoni kush është pjesëmarrës këtë vit, e prezantoni si dikë që e madhëron ja kë, Adem Jasharin… Ju e keni ftuar dikë që e madhëron organizatën terroriste. Dua t’ju njoftoj se pjesëmarrësi i sivjetmë Azem Deliu …dhe ja e madhëron …a e dini bre ju kush ka qenë Adem Jashari.”.
Kështu deklaroi ministrja e Mirëqenies Familjare dhe Demografisë së Serbisë, Milica Gjurdeviq Stamenkovski, drejtuar shkrimtarit kosovar nga Drenica, Azem Deliut, i cili, pritet të promovojë librin e tij – tashmë të përkthyer në gjuhën serbe – më 29 qershor në Beograd në kuadër të festivalit që ka për qëllim shkëmbimet kulturore, “Mirëdita, dobar dan”.
E në një lidhje direkte nga Beogradi në emisionin “Rreth e Rrotull” Dukagjini, Deliu i është përgjigjur britmave serbe se në një festival në Beograd po merr pjesë dikush që madhëron figurën e komandantit legjendar, Adem Jasharit.
“Nuk kam as frikë e as respekti për Qeverinë e Vuçiqit a as për çakejtë e tij… Nuk po di si t’i përgjigjem ndryshe vetëm se në kuptimin, në gjuhën popullore ‘pushka top iu boftë’. Nuk kam çka iu them, do të ishte mirë të injorohej plotësisht, por unë e kuptoj që këto lloj të deklaratave shkaktojnë edhe reagime mediale në dy anët e kufirit. Është e çuditshëm si nga ana e mediave serbe me ndonjë përjashtim të gjitha janë rreshtuar dhe e kanë riprodhuar atë se çka ka thënë ministrja serbe për mua”, ka thënë Deliu.
Shkrimtari kosovar është shprehur i hapur për diskutim për figurën e Adem Jasharit, nëse ka interesim nga ministrja serbe apo nga kushdo tjetër në kryeqytetin serb.
“Nëse ministra ka interesim me pas diskutim e dialog për Adem Jashrim, le të vijë në promovimin e librit dhe do të flasim hapur, sepse nuk e kam ndërmend me ndërru mendim me me thënë diçka të ndryshme në Beograd që them në Prishtinë… Nuk dua të bëj kurrfarë poze patriotike, sepse nuk garoj për vota, as nuk kam nevojë për simpatie publike, por ka disa çështje në të cilat hyn dinjiteti njerëzor. Dhe këto është e rëndësishme që vihet kufiri… këto janë veç britma, dhe ato mbesin vetëm aty ku e kanë vendin, në koshin e historisë”, ka shtuar Deliu në “Rreth e Rrotull”.