Eurodeputetja greke Eva Kaili ka mohuar përfshirjen në një skandal të supozuar të ryshfetit që përfshin Katarin mikpritës të Kupës së Botës në Parlamentin Evropian.
Ajo është një nga katër të dyshuarit e akuzuar, pasi hetuesit belgë gjetën shuma të mëdha parash në shtëpi dhe një valixhe. Eurodeputetët kanë votuar me 625 vota për të hequr eurodeputeten greke, Eva Kaili nga roli i saj.
Të hënën e 12 dhjetorit, hetuesit belgë kanë kontrolluar zyrat në Parlamentin Evropian në Bruksel, në një hetim për ryshfet të supozuar nga Katari.
Ky ishte kontrolli i 20-të i kryer që nga e premtja dhe presidentja e parlamentit, Roberta Metsola, ka paralajmëruar eurodeputetët se “demokracia është nën sulm”.
Policia belge ka akuzuar katër persona, mes tyre edhe zëvendëspresidentën e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, e cila është një eurodeputete greke.
Deri më tani Katari ka mohuar çdo keqbërje dhe avokati i zëvëndëspresidentes së Parlamentin Evropian, Kaili thotë se ajo është e pafajshme.
“Ajo deklaron pafajësinë e saj dhe se nuk ka asnjë lidhje me ryshfet nga Katari”, ka thënë Michalis Dimitrakopoulos.
Prokurorët belgë kanë thënë se para me vlerë rreth 600 mijë euro janë gjetur në shtëpinë e një të dyshuari, 150 mijë euro në banesën e një eurodeputeti dhe disa qindra mijëra euro në një valixhe në një dhomë hoteli në Bruksel.
E pyetur nëse ishin gjetur para në banesën e eurodeputetes Kaili, avokati i saj, Michalis Dimitrakopoulos ka thënë se “Nuk e di nëse janë gjetur para apo sa janë gjetur”.
Të dielën e 10 dhjetorit, prokurorët në një deklaratë kanë thënë se katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”.
Eurodeputetja Kaili u pezullua nga detyra e saj si një nga 14 nënkryetaret nga presidentja e parlamentit Metsola, ndԯrsa një votim do të zhvillohet në Parlamentin Evropian në Strasburg të martën për t’i hequr asaj rolet e saj.
Eurodeputetja greke është pezulluar gjithashtu nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në parlament dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë greke Pasok.
Të premten e tetë dhjetorit janë arrestuar gjashtë persona si pjesë e hetimit mbi akuzat se Katari korruptoi zyrtarët e BE-së për të fituar ndikim, dy prej tyre u liruan më vonë.
Asnjë i dyshuar nuk është përmendur publikisht, por eurodeputetja Kaili mësohet të jetë në mesin e atyre që janë paditur.
Tre të akuzuarit e tjerë janë të gjithë shtetas italianë dhe mes të akuzuarve është edhe partneri i saj, Francesco Giorgi, i cili është asistent parlamentar.
Në mesin e të dyshuarve është edhe ish-deputeti i Parlamentit Evropian, Pier Antonio Panzeri, i cili tani drejton grupin e të drejtave të njeriut “Fight Impunity” dhe mësohet se janë arrestuar edhe gruaja dhe vajza e tij, raporton BBC.
Një tjetër i dyshuar është Luca Visentini, sekretar i përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave, sipas burimeve.
Korrespondentja e BBC-së në Bruksel, Jessica Parker, ka thënë se detajet e publikuara nga autoritetet belge ditët e fundit lkanë lënë shumë dyshime. Eurodeputetët që kanë diskutuar me korrespondenten e BBC-së kanë thënë se janë të shokuar si nga përmasat ashtu edhe nga ashpërsia e akuzave.
“Demokracia evropiane nën sulm”
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se akuzat ishin “shumë serioze” dhe bëri thirrje për krijimin e një organi të ri të etikës për të mbikëqyrur bllokun.
Presidenetja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola është zotuar para eurodeputetëve se integriteti i parlamentit do të rivendoset.
“Demokracia evropiane është nën sulm dhe shoqëritë tona të lira dhe demokratike janë nën sulm”, ka thënë ajo.
Mbikëqyrësit dhe eurodeputetët kanë tthënë se hetimi i ryshfetit mund të përfaqësojë një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë e parlamentit.
Prokurorët janë shprehur se dyshonin se një shtet i Gjirit kishte ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të parlamentit për disa muaj, veçanërisht duke synuar ndihmësit.
Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së i zgjedhur drejtpërdrejt. Rreth 705 anëtarë të parlamentit, të zgjedhur nga votuesit në 27 vendet që përbëjnë BE-në, takohen për të shqyrtuar legjislacionin e propozuar dhe për të votuar sipas ligjit evropian.