Qëndroi për vizitë disa ditë në Kosovë por politikani francez i së djathtës ekstreme, Nicolas Bay, që është njëherësh deputet në Parlamentin Evropian, përçoi mesazhe jo të mira për Kosovën.
Në një video të publikuar nga ura e Ibrit në qytetin e Mitrovicës, Bay e quajti UÇK-në terroriste.
“Këtu në urën e Mitrovicës, serbët e krishterë e mbrojtën territorin e tyre nga sulmet e terroristëve shqiptarë të UÇK-së”.
Të njëjtën gjuhë, eurodeputeti francez e përdori edhe gjatë takimit me Sava Janiqin në Manastirin e Deçanit.
Nga aty, ai tha se prezenca e murgjëve serb aty është më se tetë shekuj.
E deklaratat e tij po i quan skandaloze, profesori i shkencave politike, Ibrahim Gashi.
Sipas tij, Kosova duhet të adresojë një letër si te parlamenti i Francës, por edhe në instanca tjera të mekanizmave politik evropian.
“Ky është një deklarim tendencioz që lë shije se është i porositur. Edhe takimi I tij më përfaqësuesin e kishës flet shumë. Mendoj që institucionet e Kosovës do të duhej të adresonin një letër edhe të parlamenti francez por edhe te Këshilli i Evropës. Kjo i bën dëm Kosovës”.
Qëndrimet e eurodeputetit francez, janë ato qëndrime që i ka një grup i së djathtëve në Francë. Të njëjtit sipas profesorit Dorajet Imeri, janë edhe kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian.
“Gjërat e tilla s’mund të kenë peshë politike për momentin, një fjalë e tillë mund të orientohet me qëndrimet që kanë një grup i caktuar i së djathtës në Francë të cilët kanë qëndrime të ndryshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Kërkohet nga Kosova që të përdoren mekanizmat e saj për të çu përpara agjendën e saj, pasi kemi mjaftueshëm kundërshtarë”.
Për këtë çështje, RTV Dukagjini ka kërkuar një qëndrim nga ana e Ambasadës së Francës në Kosovë, por të njëjtit kanë qëndruar të heshtur gjatë ditës.
Njëjtë ka vepruar edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Eurodeputetit francez është ndaluar nga Parlamenti Evropian që të bëjë udhëtime zyrtare për monitorimin e zgjedhjeve, pasi ai mori pjesë në disa misione në Rusi në prag të agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Ndalim do të zgjasë deri në fund të mandatit të tij, pra deri më 2024.