Skitarja e kërcimeve së larti, Sophie Sorschag, të hënën e 3 prillit ka pranuar dekretin për dhënie të shtetësisë së Kosovës.
Dekreti iu dorëzua nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi dhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut.
Presidenti Krasniqi falënderoi presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, për lëshimin e dekretit dhe bashkëpunimin e frytshëm me KOK-un në mbështetje të sportistëve.
“Do të kemi një sportiste të re të sporteve dimërore dhe kjo do të jetë risi, pasi është sport i veçantë, ku shumë pak shtete në botë kanë garuese të sportit të tillë”.
Sorschag, 24-vjeçare, prej edicionit të ardhshëm garues do të paraqitet për Kosovën. Vlerësohet me potencial për të fituar medalje në garat e mëdha të kërcimeve me ski.
“Falënderoj presidenten e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën e kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm kur kemi nevojë për dhënien e shtetësisë për sportistë. Në këtë rast është bërë një punë e shpejtë dhe kemi nderin që Sofies t’ia dorëzojmë dekretin e shtetësisë së Kosovës. Do të kemi një sportiste të re në Kosovë, sa u përket sporteve dimërore, dhe kjo do të jetë një ndjesi e veçantë duke pasur parasysh se është një sport i vështirë dhe delikat. Besoj se Sofie do ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të mirë. Presim rezultate edhe nga kampionatet evropiane e botërore, por fokusi kryesor do të jetë në Lojërat Olimpike të ardhshme, ku besojmë se ajo do të kthehet me medalje olimpike”, ka thënë Krasniqi, duke insistuar se Sorschag do të ketë përkrahjen maksimale të KOK-ut.
Me këtë rast, i pari i FSK-së, Kelmendi, theksoi se bëhet fjalë për një sportiste të nivelit botëror, e cila pritet t’i sjell Kosovës medalje.
“Faleminderit Sophies dhe ekipit të saj që kanë zgjedhur Kosovën. Shpresat janë të mëdha që ajo të na sjell medalje nga gara të nivelit të lartë, e synimet e përbashkëta janë Lojërat Olimpike Dimërore”, deklaroi presidenti Kelmendi.
Nga ana e saj, Sorschag, u shpreh krenare që i është dhënë mundësia të përfaqësojë Kosovën.
“Është nder i madh për mua që do ta përfaqësojë Kosovën. Faleminderit KOK-ut, FSK-së, trajnerit, familjes time dhe gjithë atyre që e kanë bërë të mundur të përfaqësojë Kosovën. Së bashku do të punojmë për të pasur një të ardhme të suksesshme”, tha ajo.
Skitarja Sorschag, me prejardhje nga Austria, në janar të këtij viti vendosi të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare të kërcimeve me ski.
Sorschag është kampione e botës në konkurrencën ekipore me Austrinë në vitin 2021, si dhe pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ajo u largua nga Austria për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e federatës.