Në Australi është duke u përdorur teknologjia e njohjes së fytyrës, nëpërmjet së cilës policia kontrollon qytetarët në rast se bëhet shkelje e ligjit nga ndonjë qytetar.
Nëse një person në Australinë Perëndimore kontraktohet me Covid-19, ai duhet të qëndrojë në karantinë në shtëpi për shtatë ditët në vijim – ashtu si edhe kontaktet e tyre të ngushta. Policia kontrollon vendndodhjen e tyre duke dërguar mesazhe periodike me tekst dhe kërkon që t’i dërgohet një foto (selfie) brenda 15 minutash.
Policia përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës dhe gjurmimin GPS për të përcaktuar nëse personi që bëri selfie është në shtëpi. Nëse nuk janë, ata e gjurmojnë shpejt, dhe i vendosin një gjobë.
Aplikacioni që përdoret për këtë është G2G, nga kompania lokale Genvis.
Ky aplikacion ka më shumë se 150 mijë përdorues, që nga shtatori i vitit 2020.
Australia shquhet si e vetmja demokraci që përdor teknologjinë e njohjes së fytyrës për të ndihmuar procedurat e kontrollit të Covid-19, ndërsa vendet e tjera po tërhiqeshin kundër idesë së një mbikëqyrjeje të tillë, njofton Jessica Muddit për BBC.
Ndërsa, në SHBA, San Francisko ishte qyteti i parë në SHBA që vendosi një moratorium kundër policisë qe kishte në përdorim teknologjinë për njohjen e fytyrës në maj 2019.
Ky moratorium u pasua në qytetet si Oakland, Kaliforni, dhe Somerville e shumë qytete të tjera amerikane.
Amazon, Microsoft, IBM dhe Google kanë deklaruar se nuk do t’ua shesin algoritmet e tyre të njohjes së fytyrës agjencive të zbatimit të ligjit, derisa të ketë një ligj federal në fuqi.
Ndërsa, në nëntor të vitit 2021, kompania që ka në zotërim Facebook-un, Meta tha se do të fshinte një miliardë “njohje të fytyrës” dhe do të pushonte së përdoruri teknologjinë për qëllimet e etiketimit të njerëzve në foto.
Kurse nga ana tjetër në Australi, Komisioni Australian për të Drejtat e Njeriut, ka bërë thirrje për një moratorium mbi teknologjinë derisa Australia të ketë një ligj specifik për të rregulluar përdorimin e saj.
Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se ka potencial që të dhënat personale të marra të përdoren për qëllime dytësore dhe se është një rrugë e rrëshqitshme drejt shndërrimit në një shtet mbikëqyrës.
Ndërsa, grupi Amnesty International paralajmërojnë se përdorimi i njohjes së fytyrës dërgon në diskriminimin racor.
Ky grup ka fushatën kundër njohjes së fytyrës, ku iniciativa e tyre quhet “Ndalo Skanimin”.
“Përdorimi i njohjes së fytyrës nga agjencitë qeveritare ndikon në mënyrë diproporcionale te njerëzit me ngjyrë, sepse ata janë në rrezik më të madh për t’u keqidentifikuar dhe arrestuar në mënyrë të gabuar”, shkruan Amnesty International.
Profesori i studimeve të medias në Universitetin Monash në Melburn Mark Andrejevic, shprehet se pandemia krijoi këto justifikime për përdorimin e njohjes së fytyrës.
Gjithashtu, ai shtoi se a duhet të jetojmë në një botë ku nuk ka hapësira private.
“Gjithçka shkoi në internet dhe organizatat po përpiqeshin t’i bënin gjërat të funksiononin shumë shpejt. Por implikimet nuk janë menduar mirë. A duam të jetojmë në një botë ku gjithçka është e dhënë dhe nuk ka hapësira private? Kjo krijon një nivel krejtësisht të ri të stresit që nuk çon në një shoqëri të shëndetshme”, ka thënë Andrejevic.
Edhe pse teknologjia e njohjes së fytyrës po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar dhe më e fuqishme, kjo nuk i jep të drejta që të zbatohet pa një ligj dhe një rishqyrtimin.
Kjo po nxjerr në pah një problem të madh etik, cenimin e privatësisë, ku personat nuk do të jenë asnjëherë vetëm, ata do të jenë në vëzhgim çdo moment.
Sa do të ndikojë kjo zhvillimin njerëzor, pasi njeriu tash është duke u vëzhguar në çdo moment, çdo moment është duke na vëzhguar “Big Brother” (vëllai i madh).
Por, kjo nuk duhet te shikohet vetëm nga këndi kritik, por duhet të shohim të mirat dhe benefitet qe na sjell teknologjia e njohjes së fytyrës.
Ne tash jemi në gjendje të identifikojmë kriminelët dhe t’i gjurmojmë ata, mund të parandalojmë krime të ndryshme, mund të shpëtojmë jetë me këtë teknologji.
Gjithashtu është një prototip i kësaj teknologjie, që demonstron se si mund të përdoret për të zbuluar njerëzit në ankth.