Avokati, Shkelzen Sopjani, ka thënë se ekzistojnë metoda që çojnë në zbulimin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Sopjani ka theksuar se ndonëse motivi është shumë kompleks, megjithatë rasti duhet t’u lihet në dorë organeve dhe ka mënyra se si vihet deri te zbulimi i motivit.
Ai pohon se ka krime që janë shumë afër perfeksionit, por në rastin e Liridona Ademajt, Sopjani thotë se autorët kanë qenë shumë amatorë.
“Krime perfekte nuk ka, por ka krime që janë shumë afër perfeksionit. Gjithmonë krimineli është një hap para policisë, dhe kjo është e ditur, sepse ai është ai që e bën planin e këta janë në ndjekje të tij. Një pjesë e hetimit po shihet se ka përfunduar, por është shumë me rëndësi të zbulohet motivi, sepse motivi i veprës është shumë i rëndësishëm. Motivi në këtë rast është kompleks, sepse zbulimi i motivit në një rast penal e përcakton se a kemi të bëjmë me vrasje të rëndë dhe përcakton edhe përfshirjen e personave të tjerë në vepra penale, vepra të tjera penale që ndërlidhen me këtë vepër penale. Ka shumë spekulime sa i përket motivit. Duhet t’iu lihet organeve dhe ka mënyra se si vihet deri te zbulimi i motivit. Motivi ka mbetur te porositësi, sepse motivi i dorasit është zbuluar, ai financiar. Metoda është edhe (vlerësimi) psikologjik i personit në fjalë, mbledhja e informacionit nga personat që e njohin. Vëllai i Liridonës duhet t’iu ofrojë hetuesve emrat që e kontaktuan”, tha ai.
Përkundër kompleksitetit të rastit, avokati Sopjani vlerëson se hetimi deri në këtë fazë ka shkuar jashtëzakonisht mirë, marrë parasysh rezultatin e shpejt që u arrit në identifikimin e personave përgjegjës, përkundër faktit, siç thotë Sopjani, se ata konsiderohen ende të pafajshëm deri në vendimin final të gjykatës.
Ai thekson se hetimi ka nisur me marrjen e pamjeve nga kamerat që kanë poseduar shtëpitë private.
“Hetuesit policorë kanë qenë të suksesshëm në bazimin e dyshimit të përfshirjes së personave në këtë rast. Hetimi ka filluar me kamera, por jo kamerat që janë vendosur, pasi ka ndodhur ngjarja në vendin e ngjarjes, sepse ajo nuk bëhet se në raste të tilla nuk ndodh që kryerësi të kthehet në vendin e ngjarjes pasi të ndodhë ngjarja, shumë rrallë ndodh kthimi, sepse qëllimi i tyre është që të qëndrojnë sa më larg dhe sa më shpejt prej ngjarjes dhe çfarëdo indicie që mund të krijohet që i ndërlidh me atë vepër”.
“Është e vërtetë që disa shtëpi përreth kanë pasur kamera, automjeti ka mundur të identifikohet dhe prezenca e personave në vendin e ngjarjes para se të ndodhë ngjarja dhe janë përcjellë kamerat. Në bazë të automjetit është identifikuar personi, që ka qenë dorasi. Kamerat janë marrë deri në Gjakovë kur është shikuar se deri ku ka lëvizur dhe si ka lëvizur ky automjet. Janë marrë kamerat e sigurisë edhe te restoranti, aty ku dorasi ishte prezent atë natë. Dorasi u identifikua, por nuk është ditur porositësi dhe atë e tradhtoi dorasi i cili ka treguar … ngjarja ka qenë e përgatitur në mënyrë amatoreske”, shtoi ai.
Ai shton se Naim Murseli, i cili dyshohet se është porositësi i vrasjes së gruas së tij Liridonës, ndonëse raportohet se ka pranuar në polici përfshirjen e tij në këtë rast, megjithatë, sipas Sopjanit, ai mund ta mohojë atë pranim.
“Hetuesit policorë kanë pasur pista të hetimit të ndryshme qysh nga fillimi dhe pista e përfshirjes së bashkëshortit asnjë moment nuk ka qenë e përjashtuar, por gjatë intervistimit dorasi e ka treguar vetë ngjarjen. Porositësi në fillim e ka bërë një pranim para organeve policore, ligjërisht ai mund të gjejë arsye ta mohojë atë pranim. Hetimi ka vazhduar… së fundmi doli edhe shitësi i armës”.