Ish-inspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se KFOR-i është i treti në rend për sigurinë e Kosovës, gjersa ka kundërshtuar deputetin e LVV-së, Enver Dugollin.
I ftuar në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Dugolli tha se KFOR-i ka dështuar në misionin e tij, gjersa Sopjani thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa dështuar dy organet e tjera, të para përgjegjëse për sigurinë.
“Pse ka dështuar KFOR-i? KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës. E para është Policia e Republikës së Kosovës. E dyta është EULEX-i dhe i treti është KFOR-i. Si dështoi i treti pa dështuar dy të parët? … KFOR-i nuk është reaguesi i parë, është i treti”, ka deklaruar Sopjani.
Sipas Sopjanit, një tjetër gabim që po bëhet përgjatë situates aktuale, duke iu referuar tensioneve në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe barrikadave të vendosura në Veri për tash e 18 ditë, është të referuarit personave të maskuar në veri sikurse “banda kriminale”.
“Mos u referoni banda kriminale. Njerëzit me maska nuk janë banda kriminale, ata janë pjestarë të strukturave të sigurisë së Serbisë dhe të Rusisë, nuk kemi të bëjmë me krim klasik, me krim të organizuar, sepse ata nuk janë duke u marrë me drogë, janë duke i bllokuar rrugët, duke cenuar rendin kushtetues dhe juridik të këtij vendi”, ka deklaruar Sopjani.
Sipas tij, FSK-ja nuk mund të angazhohet për veprimtarinë e bandave kriminale, pasi kriminelët janë në përgjegjësi të Policisë.
Nga ana tjetër, sipas Dugollit, Qeveria e Kosovës ka kapacitet për t’i larguar barrikadat e vendosura në veri të vendit nga njerëzit e armatosur, të cilët sipas tij, janë nën urdhrin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, siç ka thënë ai, është kërkesa e KFOR-it, ajo që e ka lënë pa vepruar Qeverinë e Kosovës për t’i larguar barrikadat.