Ambasadorët e vendeve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, kanë deklaruar se në konsultim me NATO-n nuk mbështesin ndryshimin e statusit aktual të urës së Ibrit. Ndërsa Qeveria e Kosovës kërkon hapjen e urës.
Këtë e ka komentuar edhe ish-inspektori i AKI-së, Shkelnzen Sopjani, njëherësh avokat, i cili ka thënë se Qeveria nuk duhet të marrë vendime që nuk janë në linjë me partnerët e Kosovës.
“Është një ‘dis’ i drejtpërdrejtë i veprimeve jo koordinuese dhe të pa pajtuara paraprakisht të Qeverisë me partnerët tanë. Në veç se kemi pasur parasysh që në fillimet e fushatës joformale, para zgjedhore kemi me pa veprime të caktuar në veri, mirëpo të paktën vlerësoj që këto veprime do të duhej të ishin në koordinim më partnerët tanë sepse rrezikojmë të humbin edhe këtë që e kemi humbë deri tash”, ka thënë Sopjani në “FIVE” të Dukagjinit.
Sopjani ka theksuar se nuk duhet të sfidohet drejtpërdrejt NATO-ja, duke qenë se KFOR-i, me trupa kryesisht amerikane, britanike dhe turke, është garantuesi kryesor i sigurisë në veri të vendit.
Ai apeloi ndaj Qeverisë për veprime të koordinuara me partnerët, duke shmangur vendimet populiste për vota.
“Sepse mos të harrojmë nuk guxojmë të sfidojmë drejtpërdrejt NATO-n, kur prezenca kryesore dhe garantuesi kryesore i sigurisë në atë pjesë mbetet KFOR-i. Dhe prej atyre kryesore janë ushtarët amerikane, britanik e turq… duhet gjithsesi të mos ndërmarrim veprime populiste për hir të votave po të marrim veprime të kalkulushme dhe të koordinuar me partnerët. Deri sot është bërë një avancim i theksuar dhe prezencës së Kosovës në atë pjesë. Mos ta rrezikojmë atë që është bërë deri sot, me ndonjë veprime të nguste dhe konfrontim të drejtpërdrejtë”, ka shtuar Spojani.