Avokati, Shkelzen Sopjani, i ftuar në emisionin “Five”, pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit dhe Mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është shprehur se kjo e fundit nuk mund të jetë ndikuese për Kosovën.
Sipas tij, pas kësaj ngjarjeje mund të ketë implikime indirekte, por ai nuk e sheh që mund të ketë ndonjë implikim të drejtëpërdrejtë, i cili do ta rëndojë apo të ndikojë në mënyrë substanciale në Çështjen e Sigurisë në Republikën e Kosovës.
“Sulmi i Iranit ishte kryekëput për qëllime të brendshme për shpërlarje fytyre, pasi pasojat e sulmit ishin joekzistente, pasi pas gjithë atyre dronëve vetëm dy me sa e di kanë depërtu dhe mund të ndodhë që depërtimi i tyre, nëse mund të them, është bërë me leje të Izraelit sa me pa se me çfarë po ballafaqohen,” tha Sopjani.
Sopjani tregoi se dronët e njëjtë i prodhon edhe Rusia, vetëm se këta i referohen me një emër ndryshe, pasi modelin e atyre dronëve e kanë marrë prej Iranit.
“Nuk janë dronë të jashtëzakonshëm janë teknologji shumë e ekspozuar, pasi janë përdorur shumë edhe në Ukrainë, përkundër faktit që Serbia posedon ata dronë unë po e shoh që Serbia e ka kuptu që ka shpenzuar shumë në armatim, por në çështjet që janë gjenerata më të vjetra, që nuk po kryejnë shumë punë, as në Ukrainë apo kudo,” shtoi ai.
Për Sopjanin, Serbia tashmë e ka kuptuar që armatimi i tyre është jashtë avancimit e që të njëjtit po kërkojnë armatim nga vendet perëndimore.
“E pamë vizitën e fundit në Francë që po tentonin të blejnë armatim prej vendeve perëndimore e nuk do ta ketë lehtë të pajiset me armatim prej këtyre shteteve me armatim, që është më i avancum, pasi nuk është dëshmu si partner i denjë i këtyre shteteve përkundër faktit që Franca pranoi me ia shitë disa Rafael aeroplana,” tha Sopjani.
Ndërkaq Sopjani shtoi se “Serbia e ka parë që vetë Vuçiqi dhe Serbia duan të largohen prej teknologjisë ruse iraniane dhe kineze, që kanë shpenzuar shumë para dhe të kalojnë diçka më të avancuar, pasi eksporti i atij prodhimit ka ra në nivele të mëdha në të gjithë botën, pasi u dëshmua që këto nuk janë të avancume dhe efikase.”