Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Prishtinë nga data 17 deri më 19 mars.
Sipas agjendës zyrtare të Presidencës, Sorensen do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një takim që pritet të fillojë në ora 09:45.
Më pas, në orën 10:30, i dërguari evropian do të takohet me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Ndërkohë, pas këtij takimi, i dërguari danez do të zhvillojë një takim edhe me zëvendëskryeministrin
Besnik Bislimi, i cili mbulon procesin e dialogut dhe integrimin evropian.
Kjo vizitë synon të përgatisë terrenin për rifillimin e bisedimeve mes palëve, pas disa muajsh ngecjeje në procesin e normalizimit.
Pritet që Sorensen të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, në përpjekje për të gjetur rrugë të reja për zhbllokimin e negociatave.
Një nga temat e mundshme në diskutim është zbatimi i marrëveshjes për personat e pagjetur, një çështje që mbetet e hapur pasi takimi i fundit në Bruksel mes ekspertëve nuk solli rezultate konkrete.
Vizita e Sorensen vjen në një kohë kur zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar hapa konkretë për rifillimin e procesit të dialogut në mars.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka pranuar kritikat për mënyrën se si ka ecur deri më tani ky proces dhe ka sinjalizuar ndryshime të mundshme në formatin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.