Më 20 nëntor kur bota shënon Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijëve, kujtojmë se një nga të drejtat bazë është krijimi i një ambienti të ngrohtë dhe të sigurt për të gjithë fëmijët, që ndryshe njihet si shtëpi.
Po ashtu ata kanë nevojë për dikë që kujdesët për ta dhe u jep shumë dashuri, siç është familja.
Por, ndonjëherë ndodh që për arsye të ndryshme, fëmijët të braktisen nga prindërit e tyre biologjik, duke i lënë në mëshirën e fatit.
Por, ka shumë vite që për këta fëmijë, shtëpi e familje janë bërë SOS Fshatrat e fëmijëve në Kosovë.
Ariana Shala këshilltare për program në SOS Fshatra, ishte mysafire në emisionin “Shpirti i Vikendit” në RTV Dukagjini, ku foli për organizimin dhe aktivitetet që bëhen në SOS Fshatra.
Shala thotë se qëllimi i SOS Fshatrave është të ofroj përkujdesje afatgjatë për fëmijët.
“Ne ofrojmë kujdesë me bazë ne familje duke ju ofruar një ambient familjar. Kemi sos familje që jetojnë në komunitet, kemi Sos Nënën, Sos tezën që kujdesën për fëmijët, por edhe një ekip i madh ku bënë pjesë edhe Psikologu Sociologu, Pedagogu etj.”
Përkujdesja për këta fëmijë bëhet deri në moshën 18-vjeçare, me mundësi vazhdimi me programe të pavarësimit.
“Aktualisht kemi tetë SOS familje me 34 fëmijë nën përkujdesje të vazhdueshme deri në moshën 18-19 vjet. Pas kësaj moshe SOS Fshatrat ofrojnë kujdes edhe pas moshës 18-vjeçare me anë të një program 3 vjeçar për pavarësim. Po ashtu kemi programe që punojne ne parandalim, synojmë të fuqizojmë familjen që të mos shpërbëhet familja, ku punojmë në familjet në komunitet duke mbështetur mbi 600 fëmijë në lokacionet Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Graqanicë.”
Atmosfera e festave të fundvitit veç ka filluar të ndihet në ambientet e SOS Fshatrave dhe përgatitjet për kartolinat e fundvitit dhe bredhit të vitit të ri kanë filluar.
“Kartolinat e fundvitit janë bërë tashme fushatë tradicionale. Ato mund të blihen në SOS Fshatra. Një kartolinë kushton 80 cent dhe të gjitha mjetet e grumbulluara shkojnë për fëmijët.”
Mbështetja për këta fëmijë sipas Shalës mund të bëhet në forma të ndryshme dhe ndihma për ta është gjithmonë e nevojshme në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për rritjen dhe kujdesin e tyre.