E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për t’i vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.
Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, e shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.
Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.
Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.
Që të tri komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.
Nga stacionet policore, kontejnerët që do të përdoren si qendra votimi në zgjedhjet e së dielës në veri, janë shpërndarë nëpër terren.
Objekte të tilla janë vendosur në 13 lokacione në katër komunat me shumicë serbe.
RTV Dukagjini sjell pamje nga brenda të këtyre qendrave të votimit.
Njëherit, gazetarja e TV Dukagjini që po raportonte direkt nga veriu i vendit të shtunën, bëri të ditur se të gjitha pikat alternative po monitorohen nga Policia e Kosovës, e madje vërehen edhe patrullime të helikopterëve.
Lidhur me zgjedhjet në Veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka inkurajuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës, pavarësisht kërcënimeve që mund të marrin.
“Ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”, shkroi Presidenca.
Në mes të tjerash, Osmani bëri të ditur se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria e qytetatrëve të jetë e garantuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votimet e zgjedhjeve në veri të dielën.
Me anë të një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se e nesërmja, dita e zgjedhjeve, paraqet mundësinë që grupet e dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të marrin përgjigjen e tyre dhe jo vetëm.
“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, ka shkruar Sveçla.
Gjersa ka përmendur kërcënimet e deritanishme ndaj komunitetit serb, ky i fundit ka thënë se si shkak i ndikimit nga shteti serb, shumë kandidatë kanë dhënë dorëheqje.
Konferencat e KQZ-së
Nga ana tjetër, lidhur me mbarëvajtjen e votimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mban katër konferenca.
Në orën 08:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mban konferencën e parë në lidhje me hapjen e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok; si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave Zveçan dhe Leposaviq.
Në orën 11:30 mbahet konferenca e dytë për medie e KQZ-së në lidhje me pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor.
Në orën 15:30 mbahet konferenca e tretë e KQZ-së lidhur me pjesëmarrjen në votime deri në orën 15:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor dhe e fundit konferencë mbahet në orën 19:30, lidhur me pjesëmarrja në votime deri në orën 19:00 dhe mbylljen e vendvotimeve.