Të shtunën, do të mbahet paraqitja e parë e ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj para Gjykatës Speciale, i cili u arrestua dje në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në bazë të urdhrit për arrestim të lëshuar nga ZPS.
Paraqitja e tij do të jetë seancë publike që pritet të fillojë në orën 10:00 në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.
“Paraqitja e parë do të jetë seancë publike, gjatë të cilës Gjykatësi i Vetëm siguron që Isni Kilaj është informuar për arsyet e arrestimit të tij dhe se po respektohen të drejtat e tij sipas Ligjit dhe Rregullores, ndër të cilat e drejta për përfaqësim juridik. Brenda 48 orësh pas paraqitjes së parë, Gjykatësi do të vendosë në lidhje me mbajtjen e mëtejshme në paraburgim ose lirimin e Isni Kilajt”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Siç njoftoi dje DHSK, urdhri për arrestimin e Isni Kilajt u lëshua nga Prokurorja e Specializuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare sipas Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.