Sot përfundon afati i SHBA-së dhe BE-së për zgjidhjen e situatës në veri, paralajmërohen pasoja

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka kohë deri këtë të mërkurë që të kthejë përgjigjen nëse do apo jo ta pranojë propozimin e SHBA-ve dhe BE-së për qetësimin e situatës në veri

Moskoordinimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të depërshkallëzuar situatën në veri, do të ketë pasoja afatgjata për Kosovën.

Kështu kishte paralajmëruar emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë. Sipas tij, një përgjigje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk do të pritet më gjatë se të mërkurën e shtatë qershorit.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka kohë deri këtë të mërkurë që të kthejë përgjigje nëse do apo jo ta pranojë propozimin e SHBA-ve dhe BE-së për qetësimin e situatës në veri.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog, ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por shtoi se nuk mbështet një individ që “nuk ka instinkt bashkëpunimi” – duke aluduar te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne – ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam ta rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha Escobar gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Vizita e tij në Kosovë, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, vjen në kohën e tensioneve të larta në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Situata e sigurisë atje është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave, kanë dalë këta kryetarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Protestat që vazhdojnë në veri kanë kulmuar në përleshje të dhunshme mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan, më 29 maj.

Me gjithë thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për ta tërhequr policinë dhe kryetarët shqiptarë nga komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – Qeveria e Kosovës, me në krye Albin Kurtin, nuk ka marrë ndonjë hap në atë drejtim.

Escobar dhe Lajçak takuan Kurtin dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë, ndërsa do të vazhdojnë vizitën e tyre në Beograd.

Kurti dhe Osmani kanë fajësuar “bandat kriminale”, të dirigjuara nga Serbia për trazirat në veri, ndërsa Beogradi zyrtar e ka hedhur fajin te Qeveria e Kosovës.

I pyetur nëse raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së janë dëmtuar, Escobar tha se “nuk bëhet fjalë vetëm për SHBA-në – është i tërë komuniteti transatlantik”.

“Ne i shohim gjërat njësoj, ne jemi mbështetës… Dhe, po, mund të ketë një ndikim afatgjatë”, tha Escobar.

Ai theksoi se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe se “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni, shtoi ai, ka “disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.

Zyrtari i lartë amerikan tha se pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do ta prekin këtë sentiment”.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeminisrit të Kosovës, thuhet se kryeministri Kurti shprehu “gatishmërinë e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për deeskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”. Kurti, Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryesve të saj.

Kurti, sipas njoftimit, tha se vetëm sundimi i ligjit mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së kryeministrit Kurti.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika