Gjatë ditës së mërkurë, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka raportuar kryeinspektori i AKI-së, Kujtim Shala.
Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu, deklaroi se në mbledhjen e mbajtur janë evidentuar shumë çështje të brendshme të AKI-së.
“Sot kishim në raportim Inspektorin e Përgjithshëm të AKI, Kujtim Shala, me të cilin diskutuam më tepër se një orë rreth punës, aktivitetit dhe menaxhimit të AKI-së. Ju e dini që kompetencat e inspektorit janë auditimi i brendshëm financiar, mbikëqyrja, hulumtimi dhe hetimi. Evidentuam shumë çështje të brendshme të AKI-së për të cilat u dakorduam që në ditët në vazhdim t’i trajtojmë në mënyrë të detajuar, për shkak se në raportet që prezantohen zakonisht kemi të bëjmë me shifra teknike dhe jo shpeshherë lëshohen në detaje. Si komision parlamentar e kemi të drejtën që të kemi qasje në dokumente dhe të shohim të gjitha veprimet që janë marrë nga inspektorati”, ka thënë Musliu për medie.
Musliu njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të raportojë shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, për shkak të deklaratave të krerëve të shtetit për potencialin e rreziqeve që mund t’i kanosen vendit.
“Një nga vendimet që mori sot Komisioni është që të mërkurën e ardhshme do ta ftojmë drejtorin e përgjithshëm të AKI-së që të na njoftojë për gjendjen e sigurisë në vend, duke pasur parasysh që kemi dëgjuar deklarata të shumta të krerëve të shtetit për ndjeshmërinë e sigurisë në vend dhe rreziqet e mundshme që mund t’i kanosen vendit në ditët në vijim. Si Komision u dakorduam që të marrim informatat e konfirmuara dhe qytetarëve t’u japim informata të vërteta të cilat i ka AKI-ja”, ka thënë ajo.