Pas një pauze prej tri javësh, këtë të hënë rifillon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka paralajmëruar dëshminë publike të një dëshmitari, e cila pritet të zgjasë dy ditë.
Prokuroria është në fazën përfundimtare të paraqitjes së provave, me afatin e fundit të përcaktuar më 4 prill.
Megjithatë, sipas ish-këshilltarit të Hashim Thaçit, Artan Behrami, procesi po zvarritet qëllimisht për arsye politike.
Ai ka kritikuar qëndrimin e gjatë të të akuzuarve në paraburgim, duke e cilësuar atë si shkelje të të drejtave të njeriut dhe ligjeve ndërkombëtare.
Edhe avokati Ardian Bajraktari ka vlerësuar se procesi ka pësuar vonesa të panevojshme, për shkak të organizimit të seancave, duke shkelur parimin e gjykimit brenda një kohe të arsyeshme.
Behrami ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-në, të ndërmarrin hapa për të siguruar një proces të paanshëm.
Që nga nisja e gjyqit në prill të vitit 2023, janë dëgjuar 123 dëshmitarë dhe janë dorëzuar prova të shumta. Të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.