SPAK: Qeveria është vonuar me rritjen e pagës minimale, 350 euro i kemi kërkuar qysh në vitin 2022

Ali Gashi, kryetari i SPAK-ut, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për vonesën në rritjen e pagës minimale dhe ka kërkuar që ajo të jetë së paku 450 euro, duke theksuar gjithashtu shqetësimin për moszbatimin e Ligjit të Pagave dhe mungesën e një marrëveshjeje kolektive

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës (SPAK).

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës të Kosovës (SPAK), Ali Gashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës është vonuar me vendimin për rritjen e pagës minimale.

Ai ka thënë se propozimi i Sindikatës që paga minimale të jetë 350 euro ka qenë qysh në vitin 2022 e se tani kjo pagë, marrë parasysh situatën ekonomike në vend, nuk ka ndonjë efekt në përmirësimin e jetës së punëtorëve.

Gashi ka thënë se kanë kërkuar që paga minimale të mos jetë më e vogël se 450 euro, marrë parasysh inflacionin dhe situatën e të punësuarve në Kosovë.

“Ne e vlerësojmë këtë veprim nga ana e Qeverisë, edhe pse është jashtëzakonisht shumë i vonë për arsye se ne me kohë si sindikatë kemi kërkuar fillimisht që të shihet mundësia që të jetë 350, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo që e kemi propozuar ka qenë në vitin 2022 dhe tani jemi në 2024, nuk e di se sa ka efekt. Qëndrimi jonë si federatë sindikale dhe shkresat e dërguara në adresën e Qeverisë, është që paga minimale të mos të jetë më e vogël se 450 euro, duke marrë parasysh edhe inflacionin edhe trendin e zhvillimit ekonomik dhe situatës në të cilën gjendet një i punësuar në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Tutje, kryetari i SPAK-ut ka thënë se nuk janë ftuar fare për të diskutuar rreth këtij vendimi, gjë e cila përcaktohet edhe me ligj.

“Ligji për përcaktimin e pagës minimale dhe Ligji për Këshillin Ekonomiko-Social thotë që kjo pagë bëhet në dakordancë edhe me sindikata, prandaj edhe kjo pa marrë parasysh që vlerësohet si lëvizje nuk është e ndershme për arsye se të paktën është dashur të ftohen sindikatat dhe përmes sindikatave të bisedohet dhe të dihet për këtë vendim”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se si Sindikatë janë të shokuar me mosveprimin e Qeverisë  dhe të Parlamentit të Kosovës për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e pagave.

Siç është shprehur ai, Qeveria duhet të veprojë urgjentisht dhe të bëjë rritjen e vlerës së koeficientit jo më pak se 35 për qind e vlerës së tanishme.

“Jemi të shokuar për mosveprimin nga ana e Qeverisë dhe e Parlamentit për mos zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Pagave, e cila në mënyrë decidive ka kërkuar që brenda gjashtë muajve të bëjë plotësim ndryshimi të këtij ligji. Edhe pse ky afat ka kaluar Qeveria nuk ka vepruar. Prandaj ne kërkojmë që urgjentisht të veprojë Qeveria e Republikës së Kosovës, dhe kur ta bëjë rritjen e vlerës së koeficientit jo më pak se 35 për qind e vlerës së tanishme, që i bie të kalkulohet 35 për qind e 110 euroshit aktual. Në të njëjtën kohë kemi kërkuar që të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, pasi që pothuajse jemi vendi i vetëm në rajon që nuk kemi një marrëveshje kolektive e cila do të rregullonte në njëfarë forme shumë të drejta thelbësore të të punësuarve në Republikën e Kosovën në sektorin privat dhe publik”.

“Një kërkesë tjetër shumë e rëndësishme për ne është edhe mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko-Social, një mekanizëm që ligji na ka dhënë si mundësi për të diskutuar të gjitha temat dhe të gjitha problemet dhe shqetësimet të cilat i preokupojnë punëtorët e sektorit privat dhe publik”, ka thënë ai për EO.

Shija e redaktorit

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

DASH lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur...

Të fundit nga rubrika