Njohja e Palestinës si shtet nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, pasqyron mbështetjen në rritje për çështjen palestineze midis vendeve të ndryshme të botës, thotë ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti.
Kjo pasi, sipas tij, këto vende kanë pranuar të marrin pjesë në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
“Njohja e Palestinës si shtet nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia, pasqyron mbështetjen në rritje për çështjen palestineze midis vendeve të ndryshme të botës. Këto vende kanë pranuar të marrin pjesë në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Pas këtyre zhvillimeve, Izraeli njoftoi tërheqjen e menjëhershme të ambasadorëve të Izraelit në Irlandë dhe Norvegji për konsultime”, ka deklaruar Hoti.
Ai thotë se Spanja, Irlanda dhe Norvegjia i bashkohen një numri vendesh të tjera që e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet, duke përfshirë Suedinë, Islandën dhe shumë vende të tjera nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine.
“Këto vende zakonisht citojnë të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe nevojën për një zgjidhje të negociuar me dy shtete si arsye për njohjen e Palestinës”, ka vijuar ai.
Sipas tij, këto vende po dërgojnë mesazh të fortë politik dhe po ushtrojnë presion mbi Izraelin për t’u përfshirë në negociata kuptimplota drejt një zgjidhjeje paqësore të konfliktit izraelit-palestinez.
“Njohja e Palestinës nga këto vende në këtë kohë, pas sulmeve të 7 tetorit 2023, mund edhe të përçojë mesazhin e gabuar se terrorizmi dhe aktet e dhunshme janë të nevojshme, pse jo edhe të domosdoshme për arritjen e synimeve politike. Mbetet të shihet çfarë ndikimi konkret këto vendime të Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë do të kenë në zhvillimet në terren, por edhe në negociatat në të ardhmen ndërmjet Izraelit dhe Palestinës”, ka theksuar ai.
Ai thotë se është e rëndësishme të theksohet se njohja e Palestinës si shtet nga vende të veçanta nuk ka të njëjtën peshë ligjore ose diplomatike si pranimi i Palestinës si shtet anëtar me të drejta të plota e Kombeve të Bashkuara.
“Qëllimi përfundimtar për shumë mbështetës të shtetësisë palestineze është që një zgjidhje e negociuar me dy shtete të arrihet përmes bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, duke çuar në krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez, përkrah Izraelit”.
A do të ketë lëvizje nga diplomacia kosovare?
Njohja e Palestinës nga vendet perëndimore, sipas Hotit, duhet të inkurajojë në veçanti Spanjën që të marrë në konsideratë edhe njohjen e Kosovës, veçanërisht nëse shohin paralele midis situatës së palestinezëve dhe kosovarëve në aspektin e aspiratave të tyre për shtetësi dhe vetëvendosje.
Megjithatë, Hoti thekson se njohja e Palestinës nga disa vende perëndimore nuk garanton automatikisht veprime të ngjashme në mbështetje të shtetësisë së Kosovës.
“Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por shtetësia e saj nuk njihet botërisht për shkak të kundërshtimit të vendeve si Serbia, Rusia, Kina dhe disa vende perëndimore. Kosova ka kërkuar në mënyrë aktive njohje nga më shumë vende për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare dhe për të rritur legjitimitetin e saj si shtet i pavarur. Mirëpo, diplomacia jonë duhet të ketë një plan veprimi se si do t’i qaset këtyre vendeve, në veçanti Spanjës, por edhe Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se çdo vendim njohjeje është unik dhe varet nga faktorë të ndryshëm, duke përfshirë konsideratat gjeopolitike, marrëdhëniet historike dhe dinamikat rajonale”.
Hoti thekson tutje se mbetet për t’u parë se si kjo mund të ndikojë në diplomacinë kosovare dhe kërkimin e saj për njohje më të gjerë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
“Në çdo rast, dinamika e diplomacisë ndërkombëtare është komplekse dhe gjithnjë në zhvillim, dhe njohja e Palestinës nga vendet perëndimore mund të ndikojë në diskursin më të gjerë mbi shtetësinë, vetëvendosjen dhe sovranitetin. Mbetet për t’u parë se si kjo mund të ndikojë në diplomacinë kosovare dhe kërkimin e saj për njohje më të gjerë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”.
Edhe profesori Seb Bytyqi thotë se njohja e Palestinës si shtet nga këto tri vende vjen si përpjekje për ta mbajtur gjallë opsionin e zgjidhjes me dy shtete, sepse sipas tij, “ka rrezik që ky opsion t’i humbë shanset e realizimit për shkak të ekstremizmit”.
Ai thotë se mund të pasojnë edhe njohje të tjera për Palestinën.
“Njohja vjen si përpjekje për ta mbajtur gjallë opsionin e zgjidhjes me dy shtete, sepse ka rrezik që ky opsion t’i humbë shanset e realizimit për shkak të ekstremizmit. Izraeli i ka tërhequr ambasadorët nga këto tri shtete dhe i ka mundësitë e limituara për të reaguar. Mund të ketë njohje tjera si p.sh. nga Sllovenia”, ka deklaruar Bytyqi.
Bytyqi nuk pret nga Kosova që të bëjë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, përveçse nëse ka njohje të shtetit të Kosovës nga Palestina.
“Nuk pres që Kosova të bëjë lëvizje në këtë drejtim, përveç nëse Palestina e njeh Kosovën”, ka theksuar Bytyqi.
Ndryshe, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar të mërkurën se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtetet është zgjidhja e vetme për paqe afatgjate në konfliktin izraelito-palestinez.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.
Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim në mesin e palestinezëve.
Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja dhe tha se do t’i ftojë për qortim ambasadorët e këtyre vendeve në Izrael, ku ata do ta shikojnë një video të sulmit të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në jug të Izraelit më 7 tetor.
Këto tri vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën. Para këtij njoftimi, rreth 143 prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara e njihnin Palestinën si shtet.
Kundërshtimi nga Izraeli
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i urdhëroi ambasadorët izraelitë në Irlandë dhe Norvegji të kthehen menjëherë në Izrael, pas njoftimit të këtyre dy vendeve për ta njohur Palestinën.
“Irlanda dhe Norvegjia kanë për qëllim t’u dërgojnë mesazh sot palestinezëve dhe tërë botës: terrorizmi shpërblehet”, tha Katz.
Katz tha se ambasadorët e Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë në Izrael, do të ftohen për një “bisedë qortuese”, gjatë të cilës ata do ta shikojnë një video të rrëmbimit të një ushtareje izraelite më 7 tetor.
Ai tha se njohja mund t’i pengojë përpjekjet për kthimin e pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë dhe se e bën më pak të mundur arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim, “duke i shpërblyer xhihadistët e Hamasit dhe Iranit”.
“Izraeli nuk do të heshtë për këtë – hapat e tyre do të kenë pasoja të rënda”, tha Katz.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abhas, e mirëpriti vendimin e Norvegjisë për njohjen e shtetit palestinez dhe u bëri thirrje vendeve të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë.