Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar pas diskriminimit të vazhdueshëm të sportistëve kosovarë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
Disa ditë më parë, Donjeta Sadiku mbeti pa marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, pasi fillimisht iu vonua viza, e më pas iu kushtëzua pjesëmarrja në garën që u mbajt në Indi me heqje ose mosshfaqje të simboleve shtetërore, kërkesë që u refuzua nga pala kosovare.
Ndërsa, rasti më i freskët i diskriminimit është ai i karateistëve kosovarë, të cilët nuk u lejuan të marrin pjesë në Kampionat Evropian, i cili do të fillojë të mërkurën në Spanjë.
Shtëpia e sportit kosovar ka theksuar se po e ndjek me shqetësim të madh këtë padrejtësi që po u bëhet sportistëve tanë.
KOK ka theksuar se ka informuar menjëherë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), nga të cilët presin reagim të shpejtë, për të mos e humbur garën sikur herën e kaluar në Qipro.