Të premten e 29 korrikut, Spanja ka raportuar rastin e parë të vdekjes lidhur me linë e majmunëve. Vdekja e parë nga lia e majmunëve konsiderohet të jetë fataliteti i parë i Evropës nga sëmundja dhe vetëm i dyti jashtë Afrikës në shpërthimin aktual.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga 22 korriku, vetëm pesë vdekje ishin raportuar në mbarë botën, të gjitha në rajonin afrikan, raporton CNN.
Organizata Botërore e Shëndetetit (OBSH) të shtunën e kaluar e ka shpallur shpërthimin e përhapjes së lisë së majmunëve me shpejtësi të një emergjence shëndetësore globale duke e dërguar nivelin më të lartë të alarmit.
Në raportin e saj të fundit, Ministria Spanjolle e Shëndetësisë thuhet se 4 mijë e 998 raste ishin konfirmuar në vend. Nga 3 mijë e 750 pacientët për të cilët kishte informacion, 120 prej tyre ishin shtruar në spital dhe një kishte vdekur, pa dhënë detaje të mëtejshme.