Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka bërë të ditur se vendi i tij do ta njohë shtetin e Palestinës më 28 maj.
“Paqe, drejtësi dhe qëndrueshmëri”, janë tri arsyet që Spanja ka vendosur ta njohë shtetin palestinez.
“Ne do ta njohim Palestinën për shumë arsye dhe mund ta përmbledhim me tre fjalë – paqe, drejtësi dhe qëndrueshmëri”, ka thënë kryeministri spanjoll.
“Ne duhet të sigurohemi që zgjidhja me dy shtete të respektohet dhe të ketë garanci reciproke të sigurisë. Është thelbësore që të dyja palët të negociojnë për paqen dhe është për këtë arsye që ne e njohim Palestinën”, shtoi ai.
Gjatë ditës së sotme [e mërkurë], edhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, të mërkurën në një konferencë për shtyp ka bërë të ditur vendimin historik për njohjen e Palestinës si shtet.
Siç theksoi kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, njohja do të hyjë në fuqi më 28 maj.
“Nuk mund të ketë paqe pa krijimin e një shteti palestinez. Në mes të luftës, me dhjetëra mijëra të vdekur dhe të plagosur, ne duhet të mbajmë gjallë të vetmen gjë që mund të sigurojë shtëpi të sigurt për izraelitët dhe palestinezët. Dy shtete që mund të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin”, ka thënë kryeministri gjatë një konference për shtyp, raporton BBC.
Store ka thënë se palestinezët kanë të drejtë ta kenë shtetin e tyre.
“Nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete pa një shtet palestinez. Me fjalë të tjera, për paqen në Lindjen e Mesme nevojitet një shtet palestinez”, ka shtuar ai.
Palestina ka konsullatën e saj në Norvegji që nga viti 2011 dhe autoritetet norvegjeze kanë filluar të përdorin “Palestine” në lidhje me territoret palestineze. Më herët në maj, Norvegjia votoi për anëtarësimin e Palestinës në OKB.
Shefi i diplomacisë norvegjeze, Espen Barth Eide, ka thënë në disa raste se njohja është e pashmangshme, por se duhet bërë në koordinim me vendet e tjera.
Irlanda
Kryeministri irlandez, Simon Harris, ka njoftuar se shteti i tij do ta njohë Palestinën si shtet.
“Sot, Irlanda, Norvegjia e Spanja po njoftojmë se e njohim shtetin e Palestinës”, ka thënë Harris në një konferencë për media.
“Të gjithë ne, tani do të ndërmarrim çfarëdo hapa të nevojshëm kombëtarë që të vëmë në fuqi këto vendime. Kam besim se edhe më shumë shtete do të na bashkohen në këtë hap të rëndësishëm në javët e ardhshme”, ka shtuar ai.
Norvegjia dhe Irlanda vendosin ta njohin shtetin e Palestinës
Sa shtete e kanë njohur Palestinën?
Të paktën 140 vende e kanë njohur shtetin palestinez, sipas një letre të fundit drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ekuadori, Egjipti, India, Islanda, Rumania, Polonia, Burundi, Tajlanda, Tanzania, Iraku, Suedia, Rusia dhe pothuajse të gjitha vendet arabe janë disa nga ata që e njohin shtetin palestinez. Ka pak vende evropiane në listë.
Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër vendet që nuk e njohin zyrtarisht shtetin palestinez.
Britania e Madhe e ka lënë të hapur mundësinë e njohjes së shtetit palestinez.
Izraeli nuk e njeh Palestinën dhe qeveria aktuale izraelite kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Sipas izraelitëve, një shtet i tillë do të ishte kërcënim për ekzistencën e Izraelit.
Norvegjia, Irlanda dhe Spanja konfirmuan të mërkurën [sot] se do ta njohin shtetin palestinez.