Rrethi parahistorik prej guri dhe një kishë e shekullit të 11-të janë zbuluar gjersa rezervuarët e vendit kanë arritur vetëm 36 për qind të kapacitetit normal të tyre.
Një kompleks i madh dhe një kishë janë ndër monumentet nënujore që janë rishfaqur në Spanjë pasi një thatësirë e madhe ka shkaktuar rënien e nivelit të ujit.
Pas një periudhe të zgjatur të thatësirës, rezervuarët e Spanjës të cilët furnizojnë me ujë qytetet dhe fermat e vendit kanë shfrytëzuar pak më pak se 36 për qind të kapacitetit, sipas shifrave të Ministrisë së Mjedisit, për muajin gusht.
Në rajonin perëndimor të Spanjës, ujërat që largohen nga rezervuari “Valdecanas” kanë zbuluar një rreth guri parahistorik në një ishull që zakonisht është nën ujë.
I quajtur “Spanish Stonehenge “, rrethi i dhjetëra gurëve megalitikë u zbulua nga arkeologët në vitin 1926, mirëpo zona u përmbyt në vitin 1963 kur u ndërtua rezervuari.
Gurët kanë tërhequr vëmendjen e turistëve, të cilët arrijnë në ishull me varka të operuara nga disa firma private. I njohur zyrtarisht si “Dolmen i Guadalperal”, vendi besohet se daton 5 mijë vite para Krishtit, transmeton “The Guardian“.
“Njerëzit largohen të kënaqur,” tha Ruben Argenta, i cili zotëron një firmë që ofron turne të guidës për gurët historikë.
Manuel Mantilla, 60 vjeç, nga qyteti jugor i Kordobës, e vizitoi me gruan e tij pasi kishte dëgjuar për vendin përmes mediave. “Ne e pamë atë si një mundësi unike,” tha ai.
Në rajonin veri-lindor të Katalonjës, thatësira ka ekspozuar rrënojat e një kishe të shekullit të 11-të në fshatin zakonisht të zhytur në ujë të Sant Roma de Sau, i cili u përmbyt në vitet 1960 me rastin e ndërtimit të një dige aty pranë.
“Ka vite që nivelet e ujit janë aq të ulëta sa janë tani,” tha 45-vjeçarja Nuria Ferrerons gjatë një vizite të fundit në vend.
Kriza klimatike ka lënë pjesë të Spanjës në më të thatin e saj në më shumë se 1000 vjet. Ndërkaq, shirat e dimrit pritet të zvogëlohen më tej, tregoi një studim i botuar në korrik nga revista Nature Geoscience.