Zyrtarëve të EULEX-it sërish u doli punë në asistimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Të hënën, me urdhër të kësaj të fundit, është bastisur shtëpia e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala.
Ish-komandantit të UÇK-së, i është bastisur shtëpia në fshatin Banjë të Malishëvës, prej nga edhe u mor nga zyrtarët e EULEX-it dhe u soll në zyrat e tyre në Prishtinë.
Gjatë aksionit, atij i është sekuestruar telefoni mobil.
E gjithë bastisja, sipas mbrojtësit të Haxhi Shalës, Xhevdet Smakiqi u krye pa prezencë të avokatit, veprim që sipas tij përbënë shkelje.
“Konsideroj që e gjithë bastisja është arbitrare, e kundërligjshme, sepse Kodi i Procedurës Penale, por edhe Ligji për Dhomat e Specializuara, po edhe Konventat Ndërkombëtare që janë të zbatueshme në Kosovë, obligojnë organet që bastisjet të bëhen në prezencën e avokatit, kushdo qoftë i dyshuar”, ka thënë avokati, Xhevdet Smakiqi.
Smakiqi thotë se të gjitha informacionet për rastin i morri nga familja e Shalës.
“Është i dyshuar. Siç e kemi parë një fushatë të ZPS-së kohëve të fundit, për sa i përket veprave penale sa i përket kundër administrimit të drejtësisë, pengimin e drejtësisë, ndikimin në dëshmitarë dhe konsideroj se ky është dyshimi i ZPS-së. Por që duke u mbështetur në profilin e zotëri Haxhi Shala, konsiderojmë se të gjitha janë vetëm dyshime”, ka thënë Smakiqi.
Televizioni Dukagjini ka mësuar se Shalës i është bastisur edhe banesa në Prishtinë para disa muajve, ku gjithashtu i ishte konfiskuar një telefon mobil.
Kjo bastisje ishte zhvilluar në heshtje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, pa lëshuar ndonjë njoftim për publikun për rastin konkret, por në një përgjigje, thanë se ky aksion është vazhdimësi e aksioneve të zhvilluara në javët e fundit.
Ish-komandanti Shala ishte intervistar nga ZPS-ja edhe në vitin 2020. Asokohe, në një intervistë televizive, ai kishte thënë se ishte intervistuar si i dyshuar për një vrasje që kishte ndodhur gjatë luftës.