Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë deklaruar se nuk mund të japin informacion nëse ish-presidenti Hashim Thaçi ka bërë një kërkesë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij.
Në një njoftim zyrtar, DHSK bëri të ditur se të paraburgosurit kanë të drejtë të kërkojnë vizita humanitare, por këto kërkesa shqyrtohen nga gjykatësit kompetentë në bazë të rrethanave dhe standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.
Megjithatë, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, ka bërë të ditur se kërkesa për të marrë pjesë në varrim është dorëzuar që dje para orës 14:00.
Ai ka sqaruar se Thaçi nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e sotme dhe nuk ka dhënë komente të mëtejshme mbi këtë çështje.
“Kam marrë shumë pyetje mediatike sot në lidhje me një deklaratë të Dhomave të Specializuara sot në mëngjes duke sugjeruar që klienti im, Hashim Thaçi, nuk ka bërë asnjë kërkesë për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Për të korrigjuar regjistrimin:
Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar avokati i Thaçit në X.